Njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Tiranës

Është zbardhur vendimi i plotë i Gjykatës së Tiranës ku njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit të Grupit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisjha duke lënë kështu në fuqi vendimit e tij.

Me zbardhjen e këtij vendimi, zyrtarisht, Komisioni i Rithemelimit njihet se organi drejtuesi  Partisë Demokratike.

VENDIMI I PLOTE

Pala kërkuese “Partia Demokratike e Shqipërisë” i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesën objekt shqyrtimi, e cila është regjistruar në datën 16/12/2021 dhe në vijim nënshtruar procedurave të shortit elektronik dhe kalimit të dosjes te Gjyqtari i çështjes.

Pas njohjes paraprake me materialet e kërkesës, gjyqtari i çështjes i ka drejtuar Kryetarit në detyrë të Gjykatës një kërkesë për heqje dorë nga gjykimi i çështjes, e cila nuk është pranuar duke u urdhëruar vazhdimi i gjykimit nga i njëjti gjyqtar.

Në funksion të vazhdimit të shqyrtimit të kërkesës, Gjykata kërkoi tërheqjen e praktikës së dosjes së regjistrimit fillestar të Partisë Demokratike, dosje e regjistruar me Urdhrin Nr.12, datë 19.12.1990 të Ministrisë së Drejtësisë pranë Zyrës së OJF-së. Me shkresën datë 28.12.2021 është kthyer përgjigje se dosja e regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë është tërhequr më datë 20.12.2021 nga Gjyqtare Blerina Muça.

Po në datën 28.12.2021 Gjykata është njoftuar për depozitimin e Kërkesës nr.168/2 Prot., datë 24.12.2021 të Partisë Demokratike të Shqipërisë protokolluar me Nr.9497 Prot., dt.28.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt përjashtimin e gjyqtarit të çështjes nga shqyrtimi i kërkesës.

Në përputhje me paragrafin e fundit të nenit 75 të K.Pr.Civile, Gjykata ka qene ne pritje te përfundimit te shqyrtimit të kërkesës për përjashtim përpara kryerjes së veprimeve proceduriale apo vendimarrjeve eventuale. Në datën 04.02.2022 me Vendimin nr. 191 Akti, dt. 04.02.2021 i Gjykata e Tiranës (Gjyqtar Arben Kostandini) ka vendosur “Mospranimin e kërkesës”.

Për efekt të vazhdimit të veprimeve në lidhje me kërkesën, Gjykata ka verifikuar në sistemin elektronik të Gjykatës së Tiranës ecurinë e shqyrtimit të kërkesës të PDSH nga Gjyqtare Blerina Muça e cila kishte caktuar datën 15.02.2022 për zhvillimin e seancës gjyqësore për marrjen në shqyrtim të kërkesës, seancë e cila u shty për në datën 18.03.2022.

Pas shtyrjes së sipërcituar, në zbatim të dispozitave të neneve 13 dhe 14 të Ligjit nr.8580 dt.17.02.2000 “Për Partitë Politike” të ndryshuar, me qëllim respektimin e afatit 30 ditor për shqyrtimin e kërkesës, Gjykata vendosi ne dhome keshillimi kryesisht pezullimin e gjykimit të çështjes deri në përfundimin e çështjes nga Gjyqtare Blerina Muça dhe tërheqjes së dosjes së regjistrimit fillestar të Partisë Demokratike.

Në datën 23.03.2022 pala kërkuese depozitoi kërkesën me nr. 2192 Prot., dt. 23.03.2022 me anë të së cilës, në bazë të nenit 298/paragrafi i dytë të K.Pr.Civile, i kërkonte Gjykatës vazhdimin e gjykimit si rrjedhojë e përfundimit të gjykimit dhe shpalljes së vendimit nga Gjyqtare Blerina Muça në datën 18.03.2022.

Në këto kushte Gjykata pas verifikimit të pretendimit të kërkuesit në sistemin elektronik të Gjykatës, vendosi të revokojë vendimin e pezullimit dhe të caktojë seancën gjyqësore brenda një afati sa më të shkurtër me qëllim zbatimin (për sa ishte e mundur) të neneve 13 dhe 14 të Ligjit nr.8580 dt.17.02.2000 “Për Partitë Politike” të ndryshuar

Në lidhje me legjitimimin e kërkuesit :

Gjykata vëren se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike, (nëpërmjet përfaqësuesit të saj të autorizuar) organ i cili cilësohet si organi i përkohshëm drejtues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, zgjedhur dhe miratuar nga vendimarrjet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë të datës 11.12.2021.

Gjykata sqaron se verifikimi i legjitimimit të palëve, në përputhje me nenin 176 të K.Pr.Civile është detyrim thelbësor i procesit civil dhe në përmbushje të këtij detyrimi Gjykata pasi kreu verifikimin e aspektit formal të akteve të përfaqësimit duke i gjetur ato të rregullta dhe në përputhje me ligjin procedurial.

Për sa i përket të drejtës aktive të Komisionit të Rithemelimit për t’iu drejtuar gjykatës si organi drejtues dhe përfaqësues i PDSH, Gjykata thekson se në përputhje me dispozitat e ligjit “Për Partitë Politike”, neni 9, 10 e vijues, si dhe bazuar në praktikën gjyqësore të regjistrimeve të ndryshimeve në partitë politike, Gjykata nuk ka rol aktiv në emërimin/ndryshimet apo shkarkimet e organeve drejtuese apo të zgjedhurve në partitë politike, por ushtron vetëm kontrollin formal të ligjshmërisë së ndryshimeve statutore dhe verifikimin e respektimit të kërkesave të ligjit apo të statutit në proceset vendimarrëse të cilat pasqyrohen në regjistrin e partive politike.

Thënë ndryshe, nuk është vendimi gjyqësor që u jep të drejtën organeve të partisë apo të emëruarve në postet partiake për të ushtruar funksionet e tyre, por gjykata kontrollon dhe çertifikon a posteriori, të drejtën e tyre për të ushtruar kompetencat organike dhe statutore që nga momenti i kostituimit.

Sa më sipër përbën një fakt gjerësisht të njohur, të mbështetur në praktikat ndër vite të partive politike (duke përfshirë edhe palën kërkuese), në dispozitat statutore të cilat hyjnë në fuqi menjëherë me miratimet e tyre në forumet vendimarrëse të partisë si edhe mbi të gjitha në vetë disponimet e nenit 9 të Ligjit nr.8580 dt.17.02.2000 “Për Partitë Politike” të ndryshuar i cili shprehet se:

“Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë. Deri në datën e regjistrimit, themeluesit e partisë mund të kryejnë veprime që janë të nevojshme për organizimin e saj, siç janë, sidomos, thirrja e zhvillimi i mbledhjes së themeluesve dhe zgjedhja e organeve drejtuese, por nuk mund të kryejnë veprimtari si parti politike”.

Dispozita e sipërcituar e interpretuar për analogji edhe në rastet e regjistrimeve të mëvonshme (sipas nenit 14 të Ligjit nr.8580 dt.17.02.2000 “Për Partitë Politike” të ndryshuar) – sqaron qartazi që veprimtaria e brendshme organizative (zgjedhja e organeve drejtuese) e partive politike nuk kushtëzohet nga miratimi dhe regjistrimi gjyqësor, por ky i fundit nevojitet detyrimisht për çertifikimin e ligjshmërisë në këto procese dhe legjitimimin ndaj të tretëve.

Bazuar në sa më sipër, në analizë të rastit objekt shqyrtimi, Komisioni i Rithemelimit legjitimohet në aspektin paraprak formal të paraqitjes së kërkesës dhe vënies në lëvizje të gjykatës si organ i zgjedhur dhe i emëruar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, por legjitimimi substancial bëhet nga verifikimi material nga ana e gjykatës i ligjshmërisë dhe i respektimit të normave statutore në thirrjen, mbledhjen dhe vendimarrjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021.

Në lidhje me themelin e kërkesës:

Për të vlerësuar nëse duhen regjistruar aktet e paraqitura për shqyrtim dhe regjistrim, në regjistrin e partive politike, gjykata çmon se fillimisht duhet të gjykojë mbi kompetencën e organit që ka nxjerrë aktet objekt shqyrtimi, si dhe mbi ligjshmërinë e mbledhjes së organit në të cilin janë miratuar aktet përkatëse.

 

a) Si thirret Kuvendi Kombëtar dhe dispozitat e zbatuara
Statuti i miratuar në mbledhjen e 17 Korrikut 2021 përcakton në nenin 43, pika 2, se si rregull, mbledhja e Kuvendit Kombëtar mblidhet çdo katër vjet.

Neni 43 i statutit të 17 Korrikut 2021 përcakton se Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i PDSH. Pika 1 e nenit 43 përcakton se antarësia e Kuvendit Kombëtar (delegatët) formohet ex officio, nga funksionarë të niveleve të ndryshme të PD, që bashkë me mandatin e funksionit të zgjedhur apo emëruar, zotërojnë edhe mandatin e delegatit. Në momentin kur një funksionar i PD, sipas statutit të 17 Korrikut 2021, zgjidhet apo emërohet në funksionin përkatës, marrin automatikisht edhe mandatin e delegatit në Kuvendin Kombëtar. Ky mandat zgjat katër vjet, deri në mbarimin e mandatit të Kuvendit (organit) të radhës. Pra, anëtarësia e Kuvendit Kombëtar në detyrë deri në zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit të ardhshëm, mbetet e pandryshuar, me përjashtim të delegatëve individualë të cilëve u përfundon parakohe mandati i funksionit për shkak të të cilit zotërojnë mandatin e delegatit të Kuvendit Kombëtar.

Statuti i 17 Korrikut 2021 përmban rregulla standarte për thirrjen dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Zhvillimi i mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, si çdo organ kolegjial, kalon nëpër disa hapa:

 

Thirrja e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar;
Verifikimi i thirrjes së mbledhjes;
Verifikimi i kuorumit për vlefshmërinë e mbledhjes;
Çelja e punimeve të kuvendit.
Nga analiza e dispozitave të statutit i 17 Korrikut 2021 ku bazohet thirrja e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit 2021, vërehet se statuti përcakton dy lloj mbledhjesh të Kuvendit Kombëtar: i) mbledhje zakonshme; ii) mbledhje e jashtëzakonshme. Lloji i mbledhjes përcaktohet nga mënyra e thirrjes së saj.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar, në përputhje me statutin e 17 Korrikut 2021, ka dy forma për tu thirrur dhe secila mënyrë ka dy mënyra. Forma përcaktohet nga kush ka të drejtë të thërrasë mbledhjen:

Thirrja nga organet drejtuese (forma e zakonshme);
Me vendim të Këshillit Kombëtar, bazuar në propozimin e kryetarit të partisë;
Me vendim të Kryesisë, bazuar në propozimin e kryetarit të partisë;
Thirrja nga pakica (forma e jashtëzakonshme);
Me kërkesë të 1/4 së antarëve të partisë;
Me kërkesën e 1/4 së delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Forma e zakonshme e thirrjes – Kuvendi Kombëtar është organ kolegjial, përfaqësues i anëtarëve. Roli i kryetarit të partisë është i kufizuar vetëm në propozimin për thirrje të Kuvendit. Vetëm propozimi nuk mjafton për ta thirrur atë. Statuti i’a ka besuar thirrjen e zakonshme organeve drejtuese që dalin prej Kuvendit (Këshilli Kombëtar zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi, ndërsa Kryesia zgjidhet nga Këshilli Kombëtar, pra derivon nga vullneti i Kuvendit Kombëtar).

Organet thirrëse e thërrasin Kuvendin për çështje që nuk janë kompetencë e tyre e që statuti ia jep vetëm Kuvendit Kombëtar, ose u nevojitet legjitimitet i plotë në vendimmarrje. Miratimi/ndryshimi i statutit dhe shkarkimi i kryetarit të partisë janë kompetencë e Kuvendit Kombëtar sipas nenit 43 të statutit të 17 Korrikut 2021.

Statuti, nëpërmjet mekanizmit të dyfishtë të thirrjes (propozimi – vendim), jo vetëm respekton hierarkine statutore të organeve ku Kryetari është organ i varur nga organi përfaqësues, por siguron edhe ndarjen e pushtetit përfaqësues nga ai ekzekutiv që përfaqësohet nga kryetari.

Forma e jashtëzakonshme e thirrjes – Pushteti epror vendimmarrës, sipas statutit të 17 Korrikut 2021 ushtrohet nga antarët vetëm me delegim tek Kuvendi Kombëtar, duke qenë se nuk parashikohej asnjë instrument i ushtrimit të drejtpërdrejtë të vullnetit (referendum i anëtarësisë) për çështje që janë kompetencë e Kuvendit. Statuti njeh parimin demokratik ligjor të ngritjes dhe funksionimit nga poshtë – lart të partisë, për rrjedhojë u njeh anëtarëve të drejtën që të jenë pjesë aktive në vendimmarrjet e rëndësishme. Kjo u njihet anëtarëve nëpërmjet të drejtës për të thirrur Kuvendin Kombëtar dhe vendosur në mënyrë autonome rendin e ditës së tij, jashtë vullnetit të organeve të tjera të partisë.

Si për çdo organ kolegjial shtetëror, publik apo jopublik edhe statuti i 17 Korrikut 2021 parashikon vetëthirrjen e tij apo thirrjen nga pakica, jashtë vullnetit të organeve drejtuese.

Në të gjitha këto raste, thirrja e organit kolegjial është e detyrueshme kur një kuorum i përcaktuar me aktin përkatës (kushtetutë, ligj, rregullore apo statut), kërkon thirrjen e organit. Thirrja nga ana tjetër është e ndarë nga formimi i kuorumit të mbledhjes dhe zhvillimi i saj.

Në kushte ekstreme, organet drejtuese të partisë, mund të mos vlerësojnë si të nevojshme mbledhjen e Kuvendit dhe vendimmarrjen për çështje të caktuara, në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë. Organet vendimmarrëse mund të jenë në konflikt interesi në raport me ushtrimin e një kompetence të Kuvendit. Të tilla do të ishin ndryshimet statutore që do të zvogëlonin apo ndryshonin kompetencat e organeve që kanë të drejtën e thirrjes së zakonshme apo shkarkimi i tyre (psh. kryetarit) nga Kuvendi. Në këto kushte, këto organe do të refuzonin mbledhjen e Kuvendit.

Me qëllim shmangien e bllokimit të vullnetit të anëtarësisë, por nga ana tjetër ruajtjen e një balance, statuti ka vendosur një kuorum minimal për thirrjen nga pakica prej 1/4 të delegatëve përfaqësues, delegatëve të kuvendit ose 1/4 të anëtarëve me të drejtë vote të partisë. Ky prag kaq i lartë është vënë pikërisht prej faktit se thirrje të tilla duhet të jenë të jashtëzakonshme, dhe çështjet për shqyrtim të një rëndësie aq të madhe sa të motivojë një numër të lartë anëtarësh.

Vlen te theksohet fakti se; Statuti në nenin 43 nuk e ka përfshirë të drejtën e pakicës për të thirrur kuvendin në të njëjtën fjali ku rregullohet thirrja e zakonshme. Pra statuti nuk barazon thirrjen nga 1/4 e delegatëve apo anëtarëve me propozimin për thirrje të kryetarit. Jo vetëm pakica thërret organin e vet, por statuti garanton të drejtën e pavarur të pakicës për të vënë në lëvizje organin suprem të partisë, pa paragjykuar vendimmarrjen e tij.

Nëse Kuvendi Kombëtar do të kishtë barazuar thirrjen nga pakica me propozimin nga kryetari, duke ia nënshtruar vendimmarrjes se Këshillit Kombëtar ose Kryesisë, jo vetëm do të zhbëhej e drejta e pavarur e pakicës, por do t’i nënshtrohej vullnetit të një organi në konflikt eventual interesi që do ta bllokonte. Në këtë rast formulimi do të ishte në një fjali të vetme.

Vendosja në një fjali të pavarur, dhe lidhëza “edhe” bëjnë dallimin që thirrja e Kuvendit nga 1/4 e anëtarëve apo e delegatëve është thirrje nga pakica siç parashikon doktrina dhe praktika legjislative, është e pavarur nga vullneti i organeve të tjera, është mekanizëm vetëthirrjeje i Kuvendit dhe është formë alternative e thirrjes.

Në të dy format e thirrjes, statuti i 17 Korrikut 2021, ashtu si legjislacioni tjetër i përmendur më sipër, vendos tre elemente të detyrueshëm: caktimi dhe publikimi i :

i) datës për thirrjen e kuvendit;
ii) afati 30-ditor nga momenti i thirrjes deri në datën e caktuar;
iii) rendi i ditës i përcaktuar paraprakisht.

Këto elemente të formës kanë rëndësi jo vetëm për transparencën, por edhe për marrjen dijeni në kohë të mjaftueshme të çështjeve për diskutim nga korpusi vendimmarrës, delegatët që ftohen në mbledhje.

Thirrja e jashtëzakonshme e ndjekur për mbledhjen e Kuvendit të datës 11 Dhjetor 2021 ndoqi mënyrën e thirrjes nga 1/4 e delegatëve. Kjo lloj thirrje ka dy aspekte themelore:

Aspekti cilësor – të drejtën e thirrjes e kanë vetëm delegatët, pra ata anëtarë që kanë një funksion që sipas statutit i jep ex officio edhe mandatin e delegatit.
Aspekti sasior – duhet që thirrjen ta kërkojnë jo më pak se 1/4 e delegatëve,
Plotësimi i këtyre kushteve si dhe caktimi i datës në një afat jo më herët se 30 ditë nga momenti i thirrjes dhe caktimi i rendit të ditës, janë kushtet e mjaftueshme për të thirrur Kuvendin.

Gjykata e gjen me vend të theksojë se të njëjtat dispozita dhe mekanizma të përshkruara më sipër, për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH gjenden të pasqyruara edhe në statutet e paraardhëse të PDSH, konkretisht atij të 29 Prillit 2018 ku të njëjtat parashikime të formuluara në mënyrë identike, gjendeshin në nenin 47 pika 4 dhe 6 të tij, çka vërteton një mekanizëm të konsoliduar në vite dhë të konfirmuar në tërësi pavarësisht ndryshimeve statutore të viteve të fundit.

b) Procedura e ndjekur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë së datës 11/12/2021
Rezulton nga materialet e depozituara në dosje, se një grup deputetësh dhe politikanësh të tjerë të Partisë Demokratike, në datën 10 Nëntor 2021 kanë depozituar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD më shumë se 4200 formularë kërkesash të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në oren 11.00.

Kjo procedurë është zhvilluar në përputhje me pikën 2, të nenit 43 të Statutit të PDSH-së, në fuqi në momentin e thirrjes së Kuvendit Kombëtar, i cili parashikon qartësisht mbledhjen e organit më të lartë drejtues të Partisë Demokratike të Shqipërisë me kërkesë të një numri anëtarësh dhe delegatësh të Kuvendit Kombëtar më të madh se ¼ e gjithë përbërjes të tij. Në rastin konkret numri i formularëve të kërkesave të paraqitura (4200) e tejkalon ndjeshëm numrin e kërkesave të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, i cili për shkak se përbëhet nga 7646 delegatë mund të thirret në mënyrë të ligjshme kur këtë e kërkojnë jo më pak se 1912 anëtarë të tij, (Gjykata për këtë qëllim administroi dhe vlerësoi provën nr.24 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022)

Në përputhje me të njëjtën dispozitë statutore, nenin 43 pika 2 të Statutit të PDSH, data, ora e zhvillimit të Kuvendit si dhe rendi i ditës, ishin pjesë e kërkesës së delegatëve nënshkrues dhe thirrës së Kuvendit.

Këto të dhëna, të cilat Statuti i PDSH, kërkon në mënyrë të detyrueshme që të komunikohen të paktën një muaj përpara ditës në të cilën thirret Kuvendi Kombëtar, u bënë të njohura për të gjithë publikun me mjetet e informimit publik, njoftime në televizione kombëtare, konferenca shtypi, portale e rrjete sociale menjëherë pas njoftimit drejtuar Kyetarit të Këshillit Kombëtar si më sipër, (Gjykata për këtë qëllim administroi dhe vlerësoi provat nr. 9, nr.10, nr.11 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 ).

Rendi i Ditës i Kuvendit Kombëtar, në përputhje me kompetencat e tij, sipas nenit 43 të Statutit, ishte si më poshtë:

– Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimarrjen në forumet e Partise Demokratike.

– Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike

– Vendimarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të antarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

– Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë

– Të ndryshme

Nga sa më sipër rezulton që nga pikëpamja proceduriale dhe e përputhshmërisë së procedurave të aplikuara nga kërkuesit në raport me parashikimet e nenit 43 të statutit të Partisë Demokratike, procedura e ndjekur është në përputhje të plotë me parashikimet urdhëruese statutore, përsa i përket :

– Numrit minimal të nevojshëm të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të cilët kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ;

– Afatit kohor brenda të cilit duhet paraqitur kërkesa për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ;

– Elementët minimalë të cilët duhet të përmbajë kërkesa për mbledhje të Kuvendit Kombëtar, si dita, ora, vendi, rendi i ditës…

Statuti i PDSH në asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon organin të cilit kërkuesit e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, duhet t’i drejtojnë kërkesën për mbledhjen e tij, në rastet kur mbledhja e Kuvendit kërkohet nga anëtarësia.

Përsa më sipër, edhe në këtë aspekt, formalizimi i këtyre kërkesave dhe përcjellja e tyre pranë Kryetarit të Këshillit Kombëtar, organ ky i cili në bazë të nenit 44 të statutit përcaktohet si organi më i lartë i cili drejton veprimtarinë politike të partisë në periudhën midis dy Kuvendeve, është në vlerësim të gjykatës i ligjshëm dhe i pa kontestueshëm.

Pas verifikimit të aspekteve proceduriale të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, Gjykata ka hetuar cilësitë e kërkuesve të mbledhjes së tij. Paragrafi i parë i nenit 43 të statutit të PDSH përmban një listë shteruese funksionarësh të cilët përbëjnë Kuvendin Kombëtar të PDSH.

Për shkak se në secilin nga mbi 4200 formularët e kërkesave të depozituara për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, nënshkruesit e identifikonin veten, përvecse me gjeneralitetet përkatës, edhe me funksionin të cilin mbanin në strukturat e Partisë Demokratike gjykata verifikoi në radhë të parë se secili nga funksionet e nënshkruesve përfshihej në listën e funksioneve të cilat përbëjnë Kuvendin Kombëtar të PDSH sipas nenit 43 pika 1 të statutit të PDSH.

Gjithashtu gjykata verifikoi edhe nëse shtetasit nënshkrues të thirrjes së Kuvendit Kombëtar përfshiheshin në listën emërore të funksionarëve të PDSH të cilët, në momentin e thirrjes së tij, përbënin listën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Për këtë qëllim gjykata pasi administroi provat shkresore, konkretisht provën nr.3, nr. 4 dhe nr. 22 të bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022, vërejti se listat bashkëngjitur këtyre dokumentave përbëjnë listë të plotë zyrtare dhe të detajuar të shtetasve të cilët përbënin Kuvendin Kombëtar të PDSH, në momentin e thirrjes së tij nga anëtarësia.

Konkretisht me shkresat e administruara si provat nr. 3 dhe nr.4 të përcjella me kërkesën e palës kërkuese, respektivisht, kryetarja e LDGSH zj. Albana Vokshi dhe Kryetari i FRPD z. Belind Këllici, i përcjellin Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PDSH z. Edi Paloka listën zyrtare të delegatëve në Kuvendin Kombëtar të cilët përcaktohen nga organizatat e tyre, në përputhje me parashikimet e nenit 43, pika 1 gërma ë) e statutit të PDSH. Listat e bashkangjitura përbëjnë dokument zyrtar të LDGSH dhe FRPD si organizata partnere të PD, sipas nenit 58 të statutit të PDSH, dhe si të tilla ato merren parasysh nga gjykata.

Gjithashtu gjykata administroi me cilësinë e provës nr. 22 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 edhe listën e plotë të delegatëve të Kuvendit Kombëtar, përcjellë zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit Kombëtar z. Edi Paloka, në datë 11.11.2021 nga ana e Degës nr.3 të Partisë Demokratike Tiranë.

Shkresës zyrtare të kësaj Dege të PDSH i bashkëlidhet edhe lista e plotë emërore e delegatëve që përbëjnë Kuvendin Kombëtar të PDSH, e shkarkuar kjo e fundit nga aplikacioni Blu System, aplikacion zyrtar i PDSH. Lista bashkëlidhur është e përcjellë me shkresë zyrtare dhe e vulosur me vulën e degës 3 të PDSH Tiranë, dhe si e tillë i plotëson edhe elementët formalë për tu konsideruar një dokument zyrtar.

Nga verifikimi i i kryer nëpërmjet krahasimit të emrave dhe funksioneve të nënshkruesve të thirrjes së Kuvendit Kombëtar me listat e sipërcituara rezulton se nënshkruesit e formularëve të kërkesave të thirrjes së Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021 janë anëtarë/delegatë të këtij organi, për shkak të funksionit që gjithsecili prej tyre mban.

Përsa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se ¼ e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij.

Pas verifikimit të ligjshmërisë së thirrjes së Kuvendit Kombëtar, për të vlerësuar ligjshmërinë e mbajtjes së tij dhe të marrjes së vendimeve përkatëse, të cilat kërkohet të regjistrohen, Gjykata administroi provat nr. 18, nr. 19 dhe nr. 23 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 përkatësisht proces -verbalin e punimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021 të firmosur nga 5 anëtarët e Komisionit Drejtues të Punimeve të Kuvendit dhe 3 anëtarët e Sekretariatit Teknik, materialin e plotë filmik të punimeve të Kuvendit të përmbajtur në një USB, si dhe raportin e plotë teknik të kompanisë së specializuar të IT e cila ka menxhuar sistemin elektronik të identifikimit dhe mbikëqyrjes se aksesit të delegatëve në ambientet në të cilat janë zhvilluar punimet e Kuvendit.

Të tre këto dokumente, të cilat i janë paraqitur gjykatës në formën e kërkuar nga ligji, përbëjnë provë të plotë për të vërtetuar faktin dhe për t’i formuar Gjykatës bindjen se, Kuvendi Kombëtar i PDSH është mbledhur në mënyrë të ligjshme dhe në ambientet e stadiumit “Air Albania”, ku janë zhvilluar punimet e tij, në pjesën e dedikuar të delegatëve të Kuvendit, kanë marrë pjesë 4935 delegatë, prezenca fizike e të cilëve ka bërë që Kuvendi të ketë kuorumin e nevojshëm që ky organ të konsiderohet i mbledhur dhe të mbajë punime e e të marrë vendime në mënyrë të ligjshme në përputhje me dispozitat statutore.

Një vëmendje të veçantë gjykata i ka kushtuar edhe vlerësimit të formalizimit të organit i cili drejton punimet e Kuvendit Kombëtar, për shkak të parashikimt të veçantë të këtij momenti në statutin e PDSH.

Fjalia e fundit e paragrafit të dytë të nenit 43 të Statutit të PDSH, parashikon se “Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të punimeve të tij, me propozim të Kryetarit të Partisë”

Gjykata e vlerëson këtë parashikim jo si një të drejtë por si një përgjegjësi e cila i ngarkohet Kryetarit të partisë,, për të propozuar një Komision i cili pasi aprovohet nga Kuvendi drejton punimet e këtij të fundit. Mosushtrimi i kësaj përgjegjësie, në vlerësimin e gjykatës, nuk pengon organin më të lartë drejtues të PDSH, Kuvendin Kombëtar, në ushtrimin e sovranitetit të tij dhe në emërimin e një Komisioni me 5 anëtarë që drejtojnë punimet e Kuvendit.

Për këtë nevojitet që, sipas dispozitave satutore, së paku Kryetarit të partisë t’i garantohet mundësia për të propozuar Komisionin drejtues të punimeve. Në vijim, ushtrimi ose mosushtrimi i kësaj përgjegjësie nga ana e Kryetarit të PDSH nuk cënon të drejtën e pakufizuar të Kuvendit Kombëtar për të përcaktuar me votë komisionin që drejton punimet e Kuvendit.

Në vijim të këtij arsyetimi, Gjykata ka administruar provën nr. 5 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 “Njoftim për ushtrimin e detyrimeve statutore për mbarëvajtjen e Kuvendit Kombëtar” drejtuar z. Lulzim Basha nga një grup deputetësh përfaqësues të anëtarëve të cilët thërrasin Kuvendin Kombëtar, si dhe mandatin postar bashkëlidhur.

Nga shyrtimi i këtij dokumenti shkresor, i paraqitur nga kërkuesi në formën e kërkuar nga ligji, rezulton së në datën 09.12.2021 një grup deputetësh përfaqësues të anëtarëve që kanë kërkuar mbledhje e Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021kanë vënë në dijeni zyrtarisht Kryetarin e PDSH mbi përgjegjësinë e tij për të përcaktuar 5 anëtarë të Komisionit që drejton punimet e Kuvendit, dhe po në të njëjtën ditë, sipas mandatit postar, kjo shkresë është dorëzuar pranë punonjësit të protokollit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, ashtu si rezulton edhe nga proces-verbali i mbledhjes së punimeve të Kuvendit të datës 11.12.2021 si dhe nga materiali filmik i administruar, deri në çeljen e punimeve të tij, Kuvendit Kombëtar nuk i është paraqitur asnjë propozim nga Kryetari i PDSH për përcaktimin e anëtarëve të Komisionit drejtues të punimeve. Në kushtet e konstatimit të mosushtrimit të kësaj përgjegjësie statutore nëpërmjet mungesës së një përgjigje shkresore si dhe të mospjesëmarrjes së Kryetarit të PDSH në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, Kuvendi Kombëtar me propozim të Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PDSH z.Edi Paloka, i cili çeli edhe Kuvendin, miratoi me votim të hapur dhe me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij një Komision të drejtimit të punimeve të tij të përbërë nga 5 anëtarë, si dhe një sekretariat teknik, sipas përbërjes së reflektuar në proces-verbalin e punimeve të Kuvendit Kombëtar dhe akteve të tjera të dala prej tij.

Në funksion të verifikimit të ligjshmërisë së vendimeve të marra në Kuvendin Kombëtar të PDSH të datës 11/12/2021, Gjykata vlerëson se duhet të verifikojë procedurën dhe mënyrën e marrjes së vendimve për të cilat kërkohet regjistrimi i tyre, veçanërisht i Vendimit nr.1 dt. 11.12.2021 i cili miraton Statutin e ri të PDSH, dhe më pas edhe 6 vendimarrjet e tjera në vijim, veçanërisht në kushtet kur për miratimin e Vendimit nr 1. Dt. 11.12.2021 baza ligjore dhe procedura e ndjekur janë ato të përshkruara statutin e PDSH të miratuar në Korrik 2021, ndërsa baza ligjore dhe procedura e ndjekur për vendimet e mëpasme është ajo e përcaktuar në statutin e miratuar në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, i cili hyri menjëhërë në fuqi për vullnet të Kuvendit Kombëtar, në mënyrë analoge me statutet e mëparshme të kësaj force politike.

Rezulton nga proces-verbali i mbledhjes se punimeve të Kuvendit Kombëtar, nga materiali i plotë filmik i punimeve të Kuvendit, si dhe nga provat e tjera shkresore, veçanërisht ato të administruara së bashku me vendimin nr. 1 dt.11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar, por edhe ato të provave nr. 2, nr.6 dhe nr.7 të bashkangjitura kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 se Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit, administroi një kërkesë të paraqitur në përputhje me nenet 43, dhe 60 të Statutit të PDSH-së, si më poshtë:

– Kërkesë dhe draft Statutin (ndryshime në Statut) e propozuar nga ¼ e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PDSH, (firmat mbështetëse të 138 anëtarëve të Këshillit Kombëtar sipas provave nr. 2 dhe nr.6) dhe të mbështetura nga 15% e anëtarësisë së Kuvendit Kombëtar (firmat sipas provave nr.7), i cili u regjistrua nga Komisioni me nr. 1, datë 11.12.2021 në proces-verbalin e punimeve të Kuvendit.

 

Rezulton se ndryshimet ishin hartuar nga propozuesit dhe vinin në formë të reflektimit të tyre në statutin ekzistues, prandaj dispozitat statutore të propozuara për votim ishin drejtpërsëdrejti dispozitat statutore të ndryshuara.

 

Pavarësisht bashkëlidhjes, te propozimet për ndryshimet statutore, të firmave mbështëtëse të anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe delegatëve të Kuvendit, gjithsesi Komisioni për drejtimin e punimeve të Kuvendit fillimisht kërkoi mbështetjen publike të delegatëve të Kuvendit Kombëtar për kërkesën për ndryshime në Statutin e PDSH. Në përputhje me pikën 1, të nenit 19 të Statutit, votimi u bë i hapur duke ngritur dorën ose mandatin dhe duke konfirmuar mbështetjen unanime të delegatëve të Kuvendit Kombëtar për ndryshimet statutore.

Komisioni më pas, hodhi në votim në parim, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në Statutin e PDSH, dhe Kuvendi Kombëtar, me shumicë votash, në praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, votoi pro në parim, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në Statut të paraqitura nga një grup anëtarësh të Këshillit Kombëtar të PDSH të cilët përfaqësojnë ¼ e gjithë anëtarësisë së tij, si dhe me mbështetjen e të paktën 15% të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Në përputhje me pikën 1, të nenit 19 të Statutit, votimi u bë i hapur duke ngritur dorën ose mandatin.

Vendimarrjet vijuese të Kuvendit Kombëtar të PDSH, konkretisht Vendimet nr.2 – nr.7 u morën sipas parashikimeve të reja statutore të miratuara me vendimin nr. 1 dt.11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar, ashtu si edhe rezulton nga proces-verbali i punimeve të Kuvendit si dhe nga materiali i plotë filmik i punimeve të Kuvendit të paraqitur nga kërkuesi me cilësinë e provës.

Gjithashtu me cilësinë e provës, bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022, kërkuesi paraqiti edhe provat nr. 20 dhe 21, të cilat konsistojnë në prova shkresore përkatësisht të ngritjes dhe funksionimit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të PDSH sipas statutit të miratuar në mbledhjen e dt. 11.12.2021, si dhe Vendimin nr.5 me nr. Prot.12 dt.19/12/2021, miratuar nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Ky i fundit ka bashkëngjitur edhe tabelën e rezultateve përfundimtare të referendumit të ratifikimit të Vendimit nr. 6 dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar, për shkarkimin e z. Lulzim Basha nga funksioni i Kryetarit të PDSH.

Provat e mësipërme perfeksionojnë ligjërisht dhe nga pikëpamja statutore Vendimin nr. 6. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të PDSH, pasi për vullnet të shprehur të këtij organi, dhe bazuar mbi statutin e PDSH, kjo vendimarrje ishte përcaktuar për tu miratuar me referendum nga gjithë anëtarësia e PDSH.

Përsa më sipër gjykata vlerëson se procedurat e ndjekura për propozimin dhe miratimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, janë në përputhje të plotë me parashikimet statutore ne fuqi në momentin e miratimit të tyre, dhe praktika dokumentare shoqëruese e këtyre vendimarrjeve është e plotë dhe e pakontestueshme.

Vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 janë vendime të marra në përputhje të plotë me tagrin dhe kompetencat statutore të Kuvendit Kombëtar të PDSH, si organi më i lartë vendimarrës i kësaj force politike dhe si të tilla ato duhet të regjistrohen në regjistrin e partive politike.

Vendimet e mësipërme përcaktojnë edhe ndryshime thelbësore në formatimin dhe përbërjen e organeve qëndrore drejtuese të PDSH dhe si të tilla përmbajtja e tyre duhet të reflektohet përkatësisht edhe në përbërjen e organeve qëndrore drejtuese të PDSH të regjistruara në regjistrin e partive politike.

Përsa më sipër gjykata duke e gjetur të bazuar në ligj e në prova kërkesën e palës kërkuese vendosi pranimin e saj duke vendosur :

PËR KËTO ARËSYE

Gjykata, në bazë të ligjit nr.8580, datë 07.02.2000 “Për Partite Politike”

VENDOSI:

1.Pranimin e kerkeses se pales kerkuese Partia Domokratike e Shqiperise, perfaqesuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të P.D.SH.

2.Depozitimin e vendimeve te kuvendit Kombetar te PDSH duke rregjistruar ndryshimet perkatese ne regjistrin e partive politike:

Vendimin nr 1. dt.11.12.2021, me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë

Vendimin nr 2. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

Vendimin nr 3. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

Vendimin nr 4. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

Vendimin nr 5. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

Vendimin nr 6. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

Vendimin nr 7. dt. 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

3.Kunder ketij vendimi mund te behet ankim sipas ligjit.

U shpall sot ne Tirane me date 25.03.2022.

SEKRETARE GJYQTAR

ORNELAMARASHI AGRON ZHUKRI