Njohja e patentave në Gjermani, Gonxhe zbulon sa para do të kursejnë shqiptarët

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i ftuar në emisionin “Breaking” ka folur për njohjen e patentave shqiptare në Gjermani.

Gonxhe tha se ka qenë një proces i vështirë dhe se ka dashur shumë vite për finalizimin e marrëveshjes.

“Ishte shumë e vështirë që Gjermania ta bënte këtë hap. Është vendi lider për sa i përket sigurisë së qarkullimit. Po mos të kishte qenë vizita nga afër në Shqipëri dhe transformimi në këtë sektor në vendin tonë, nuk do ndërmerrej një hap i tillë. Më parë as nuk mendohej të flitej me ta, madje dhe në 2011 refuzuan të vinin. Por kur rezistuam aq shumë dhe këmbëngulëm që të vinin këtu, dhe kur panë se sa mirë ishim, atëherë vendosën të ndryshonin mendim. Kemi rënë dakord për çdo verifikim, për të gjitha modalitetet.  Më 11 ose 12 prill do të bëhet firmosja teknike për ta zbatuar. Patenta AM është për një lloj motoçiklete, që ka 300-400 në Shqipëri, është një gjë që nuk i duhet askujt pothuajse,” tha Gonxhe.

Por, sa para kursejnë shqiptarët me këtë?

“Një shqiptari do duhet të bënte një kurs zyrtar që t’i njihej gjuha, pastaj do të duhej të bënte kursin bazik për patentën e më pas të gjithë kategoritë me radhë. Për më tepër duhet t’i shkëpuste nga aktivitetet dhe punët e tyre. Shqiptarëve do u kushtonte 2300-7500 euro,” tha Gonxhe./albeu.com