E braktisur për herë të dytë nga e ëma, i ati i kishte mbyllur derën pas largimit nga shtëpia e bashkëshortit i cili e keqtrajtonte dhe pa asnjë mbështetje, Vanesa vendos të ikë. Jeta e saj ishte një mori vështirësish e pengesash që e kishte rritur përpara kohe ndërkohë që ishte vetëm adoleshente.
Pas këtij largimi, ajo rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se e mbetur vetëm me rrobat e trupit, një celular dhe një unazë, i shkruan një mesazh motrës nga babai, e cila ishte fryt i martesës së tij të parë.
Kristjana shkon menjëherë te Vanesa në Durrës dhe mëson gjithçka se ç’kishte kaluar motra e vogël deri në atë moment. Vajzat kthehen të dyja në Tiranë dhe Vanesa takon gruan që do t’i kthehej në nënë.
Vanesa: Shkoj në Tiranë, aty ku jetonte motra ime. Por motra ime jetonte me nënën e saj, me gruan e parë të babit dhe ka edhe një vëlla. Domethënë nëna e saj ka bërë një djalë me burrin e dytë, ka pasur një martesë të dytë edhe ajo.
Ardit Gjebrea: Pra ti ke motrën, por djalin nuk e ke asgjë.
Vanesa: Djalin nuk e kam vëlla tamam, gjak por që unë jam rritur me atë dhe unë e dua atë si…
Ardit Gjebrea: Si vëlla.
Vanesa: S’bëhet fjalë. Për atë shemb botën, si me thënë. Edhe ai motër më thotë se nuk i ka ditur gjërat se unë e kam gjetur 6 vjeç djalin.
Ardit Gjebrea: Ti shkove në shtëpi. Si të priti ish-gruaja e babit?
Vanesa: Atëherë, që të bëj pak dallimin.Gruaja e tretë e babit, aktuale, kur shkova në Greqi kur u hap dera nuk më donte fare, një xheloze, një femër agresive, serioze, e keqe, si shtrigë ishte për mua ajo, shumë e frikshme.
Ardit Gjebrea: Po kjo?
Vanesa: Kjo, nuk e di, ka një fytyrë engjëlli, një fytyrë të bukur, një grua pozitive, e çiltër, e respektueshme, e ngrohtë.
Ardit Gjebrea: Çfarë të tha?
Vanesa: Thjesht më ka thënë “mirë se erdhe në shtëpinë tonë moj bijë” dhe më ka përqafuar direkt. Aty unë i kam thënë ‘mami’ për herë të parë. E kam thirrur ‘mami’, i kam thënë mami me plot gojë edhe për çdo gjë dhe kur qaja, edhe kur isha keq, edhe kur isha e mërzitur, edhe kur isha e lumtur, shkoja vetëm te kraharori i saj se unë me atë flija, me atë fle edhe sot, në krahët e saj dhe me atë ndihem femra më e lumtur, fëmija më i lumtur. Më ka dhënë kurajë, më ka dhënë dashurinë që unë e kisha mungesë për shumë vite dhe prandaj kam ardhur, që ta falenderoj për gjithë këtë dashuri, për këtë ngrohtësi, për këtë shpirt të mirë që ka.
Këtë dashuri për familjen që ka gjetur, Vanesa e ka përjetësuar në trupin e saj. Tatuazhe me emrin e Kristjanës, Aleksit dhe Kristinës janë ‘gdhendur’ njësoj si dashuria që ka në zemër për ta.
Ajo shprehet se për Kristinën “do jepte jetën” sepse i ka falur një dashuri edhe më të madhe, disi të ndryshme nga fëmijët e saj duke u siguruar që Vanesa të ndihej mirë./tvklan.al