“Njeri fisnik dhe mik i çmuar”, kolegë e politikanë shprehin ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Artur Zheji

Gazetari Artur Zheji u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 64-vjeçare ndërsa lajmi ka trishtuar mbarë opinionin publik. Zheji, pësoi arrest kardiak teksa ishte me pushime me familjen e tij në qytetin e Sarandës.

Kolegët gazetarë, politikanë dhe qytetarë të thjeshtë kanë reaguar në rrjete sociale duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit.

Gazetari Blendi Fevziu, deputeti Tritan Sheu, gazetarja Ola Bruko, deputeti Belind Këlliçi, Ministri Taulant Balla, Flamur Noka, pastori Akil Pano, Niko Peleshi dhe Vangjel Tavo janë disa nga figurat publike që kanë bërë reagime prekëse për ndarjen nga jeta të Zhejit.

Më poshtë, do të gjeni statuset e tyre në rrjete sociale

Gazetari Blendi Fevziu: Artur Zheji u nda nga kjo bote sot krejt papritur. Ne moshe ende te re dhe ne kulm te energjive dhe te angazhimit publik. Bashke me te iku edhe nje ze i rendesishem dhe autoritar i mediave e mbi te gjitja nje intelektual dhe qytetar pas exelence. Duke e njohur prej viteve ‘80 – te dhe duke bashkepunuar per thuaj 25 vjet me te mbeta tejet i trishtuar nga ky lajm tragjik. U prehsh ne paqe Tur!

Deputeti Tritan Sheu: Keqardhje e trishtim per humbjen e Artur Zhejit! Gazetar korrekt, qytetar njerezor ne tiparet e sjelljet e tij. Miqesor e tolerant! Ngushellinet me te sinqerta familjes se tij, gazetarise shqiptare, publikut te gjere, miqve, te gjitheve! Do ta kujtojme si nje model!

Gazetarja Ola Bruko: Une pata fatin dhe nderin te merrja prej teje leksionet me te vyera te gazetarise. Ti u ktheve per mua ne nje mik te jashtezakonshem sic une isha gjithashtu per ty. Nuk mundem ende ta besoj kete lajmin te hidhur qe me derguan! Nuk mundem ende ta besoj se sdo komunikoj me me ty e sdo marr prej teje keshillat qe aq shume i vleresoja…..

Deputeti Belind Këlliçi: Më pak se 1 vit më parë, Artur Zheji “parashikoi” mes rreshtash tragjedinë që do ti ndodhte këtë të shtunë gushti! Qofsh i Parajsës Artur Zheji! RIP

Gazetari Çim Peka: Cfare trishtimi. RIP!

Ministri Taulant Balla: Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe mik!

Deputeti Flamur Noka: U prehsh në paqe Turi! Ikja jote e beftë na le me dhimbje. Ngushëllime familjes sate! Për pak ditë do të festonit ditëlindjen tënde, e ne miqtë e tu do të të uronim 64-vjetorin. Ke lënë shumë kujtime pas, si drejtues e gazetar, si prind, bashkëshort e mik. Artur Zheji ishte biri i dy shqiptarëve të shkëlqyer, i zagoritit të gjithditur Petro Zheji dhe i aktores së mirënjohur Besa Imami. Trashëgoi kulturën e tyre dhe spikati si personazh televiziv në prime. I përjetshëm kujtimi i tij!

Pastori Akil Pano: Debati ishte fisnik me ty mik. Kur më telefonoje dëgjoja: ‘pastor i madh’, menjëherë ta ktheja: ‘Zheji i madh.’ Ishte mënyra joné t’i kujtonim njëri-tjetrit sa të vegjël ishim. Largimi yt i beftë ndal hapin e njeriut që dashuron jetën dhe e fton të heshtë. Mbase të mendojë për thelbin, jetën, familjen… A është njeriu një ëndërr apo diçka më shumë!? Disa grimca të parëndësishme në universin e pamatshëm, apo esencë që nuk zhbëhet?
Psalmisti kishte të drejtë kur pyeti: “Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?”

Jobi kishte të drejté kur shkroi: “Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.

Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim. Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.”

(Jobi 14:1-2, 14-15)
Qofsh me Krishtin të cilit i besove o mik. Vështro bukuritë e patregueshme dhe shijo atë që materia s’mund të të jepte. Do të na mungosh nga kjo anë e krijimit. Zoti bekoftë familjen dhe i dhëntë bujarisht ngushëllim dhe paqe.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit: Lajm i hidhur i ndarjes nga jeta të gazetarit, publicistit dhe analistit të njohur Artur Zheji (1961–2025)! Zheji u shqua për kontributin e tij në fushën e medias dhe publicistikës, si dhe në artin skenik, ku ka lënë gjurmë si regjisor dhe autor i veprave artistike. Trashëgimia e tij profesionale mbetet pjesë e historisë së gazetarisë dhe kulturës shqiptare. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe komunitetit mediak!

Deputeti Niko Peleshi: I trishtueshëm lajmi i ndarjes së papritur dhe të padrejtë nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji. Një mendje e mprehtë, një zë i guximshëm dhe një figurë e respektuar e medias shqiptare. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij. Kujtimi për të do të mbetet i paharruar!

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo: Lamtumirë Zheji! Më trishtoi pa masë ndarja nga jeta e Artur Zhejit. Kjo është një humbje e madhe për shoqërinë shqiptare, miqtë, dhe veçanërisht familjarët e tij. Zheji, siç të gjithë e thërrisnin, ishte një figurë e rëndësishme e mjedisit intelektual shqiptar.

Analist i hollë politik dhe njohës i ngjarjeve ndërkombëtare, ai ishte një zë i fuqishëm përmes mendimit dhe ideve të tij, në median e shkruar dhe atë vizive.

Ndarja e parakohshme nga jeta, më trishton edhe më shumë, pasi kam pasur fatin ta njoh nga afër. Kam ndarë me të ide e mendime të cilat përherë i kam çmuar fort. Nga sot, shoqërisë sonë do t’i mungojë një mendje e mprehtë dhe e guximshme.

Ndërsa NE, miqve dhe familjarëve do t’i mungojë një njeri i mirë dhe i shtrenjtë.
Të prehesh në paqe mik i mirë!


Shtuar 23.08.2025 19:51