Një person sulmohet dhe rrëmbehet nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se xhandarmëria serbe ka hyrë brenda territorit të Kosovës, ku ka plagosur e rrëmbyer një shtetas, të nacionalitetit serb.

Sipas policisë, kjo ka ndodhur dy ditë më parë.

“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe”, shkruan Policia.

“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, njofton tutje policia.

Janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit, sipas të cilëve disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.


Shtuar 3.11.2025 19:58