Një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë/ Sali Berisha denoncon emërimin e Perlat Çullhajt në Ministrinë e Brendshme: 3 milionë euro pasuri që në 2015, është bashkëpunëtor me…

Këtë të enjte, në një deklaratë, kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ndaj emërimit të Perlat Çullhajt në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar këtë veprim si një dëshmi të kapjes së shtetit nga kartelët e drogës.

Berisha thekson se Çullhaj, i shkarkuar nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me trafikantë droge, është rikthyer në një pozicion kyç në Ministrinë e Brendshme, duke thelluar sipas tij “kanabizimin e vendit”.

Ai përmend lidhjet e Çullhajt me figura të njohura të krimit të organizuar si Saimir Tahiri dhe Emiljano Shullazi, dhe akuzon qeverinë për emërime që favorizojnë interesat kriminale në strukturat shtetërore.

“Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor me Saimir Tahirin. Është milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015. Është një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë”, tha Berisha..

Ai paralajmëron se; “droga dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, duke kontrolluar poste, aktivitetet dhe emërimet në shtet”.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

Mësoj këto ditë se në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, që është shumë i rëndësishëm si sektor, është emëruar një nga narkosit më të damkosur të Shqipërisë, është emëruar Perlat Çullhaj.

Ky trafikant i shkarkuar, i nxjerrë nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me drogën, trafiqet, për prishje të provave dhe një seri veprash të tjera penale.

Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor me Saimir Tahirin.

Është milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015.

Është një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë.

Perlat Çullhaj është gjetur me një impiant të madh kanabisi në Manskuri, në të cilin kishte 40 gjer në 50 punëtorë dhe që u liruan që të gjithë pas arrestimit dhe 12 ton kanabis që u gjetën aty, u zhdukën si të paqena.

Ish-bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit, njeriu që me Boge Bodinin, e shndërroi Durrësin në protektorat të plotë të krimit.

Ky delinkuent merr detyrën e drejtorit të analizës shkencore, jashtëzakonisht e rëndësishme në Ministrinë e Rendit, detyrë që i lejon atij të prishë çdo provë, të sajojë çdo mashtrim.

Pra, ky fakt dëshmon se në këtë vend forca e drogës dhe e karteleve është e jashtëzakonshme.

Ajo dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, postet, aktivitetet dhe emërimet.

Lartësimi i Perlat Çullhajt, i cili edhe gjatë këtyre periudhave ka pasur raste që është shmangur, por rikthimi i tij në një post kaq të rëndësishëm në ministri është i njëjtë me uzurpimin e Këshillit Shkencor Kombëtar nga Edi Rama.

Natyrisht në kuptimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Aq sa ka të bëjë Edi Rama me shkencën, aq ka të bëjë Perlat Çullhaj me analizat shkencore në laboratorët e ministrisë.

Dënoj me forcën më të madhe këtë emërim të ministrit, edhe ai me 3-4 mbiemra, se këta problemin e kanë me mbiemrin, betejën e kanë me mbiemrin e vet, nuk dinë si ta fshehin, Ervin Hoxha alias Kokolari, sipas interesit përdor herë njërin, herë tjetrin.

Por rikthimi i tij është një mbisundim tjetër i karteleve të drogës.

Pas Ilir Prodës, Ilir Matriksit, tani ata plotësojnë të gjithë organigramën e ministrisë.


Shtuar 31.07.2025 13:25