Një jetë në shërbim, historiani amerikan prezanton biografinë e Fethullah Gylenit në Tiranë

Biografia e mendimtarit turk Fethullah Gylen, me autor Jon Pahl, profesor i historisë së Krishtërimit në Pensilvani, njëkohësisht edhe Pastor, është sjellë në shqip nga shtëpia Botuese Prizmi.

I pranishëm në promovimin e lirbit autori amerikan Pahl foli rreth principeve të Gylenit mbi mënyrën se si e shpjegon dhe jeton ai islamin dhe sesi qëndrimet e tij frymëzuan miliona njerëz në mbarë botën.

Sipas autorit amerikan, Fethullah Gylen është një mendimtar, klerik, autor librash dhe aktivist i shquar turk që me mendimet dhe kontributin e tij ka frymëzuar një lëvizje globale që synon shërbimin ndaj njerëzimit, pajtimin, dialogun, tolerancën dhe respektimin e çdo njeriu në pozicionin e vetë.

Duke ofruar një panoramë të zhvillimit themelor të shekullit XX, që është përballja mes kapitalizmit dhe socializmit, Pahl vërejti se ajo çfarë i ishte dashur më së shumti njerëzimit, gjatë kësaj kohe ishin ndërtuesit e paqes, si Mahathma Gandhi, Fethullah Gylen dhe Leymah Gbowee.

Ndër të tjera, autori tha:

Gyleni dhe lëvizja Hizmet, e frymëzuar prej tij, kanë tentuar të ndërtojnë një urë mes kapitalizmit dhe socializmit, duke bërë bashkë, shpirtin e sipërmarrjes së lirë të kapitalizmit dhe përgjegjësinë sociale të socializmit, pikërisht nëpërmjet procesit të këshillimit të ndërsjellë dhe zhvillimit të bizneseve sociale.

Përmes mësimeve të tij të hoshgory-së (tolerancë, shih: të shohësh për mirë), Gyleni kërkoi të zhvillonte në Turqi një shoqëri demokratike, në të cilën mund të kontribuonin të gjithë. ‘Pushteti është tek e vërteta,’ – thotë ai shpesh, si një jehonë prej Mahathma Gandhit. Gyleni është veçanërisht në mbrojtje të atyre që janë më të dobët, sepse ‘të jesh me të shtypurit,’ – thotë ai, – ‘është njëlloj sikur të jesh me Zotin.’ Dhe njerëzit e frymëzuar prej tij, janë përpjekur të ndërtojnë kudo ura dialogu në përputhje me principin e hoshgory-së (të të parit të tjerëve mirë, ashtu siç i sheh edhe Zoti).

Gyleni dhe lëvizja globale Hizmet, e frymëzuar prej tij, përfaqësojnë atë që unë e quaj “zhvillim të paqes”. Pjesëmarrje në aktivizëm vullnetar në ndihmë të shoqërisë civile për të mundësuar drejtësi dhe për të reduktuar dhunën“.

Pahl shtoi se Fetullah Gylen është një nga njerëzit më me ndikim në botë i cili ka frymëzuar lëvizjen globale ‘Hizmet’ , që do të thotë Shërbim.

Në ceremoni e morën fjalën edhe studiues shqiptarë, njohës së figurës dhe veprimtarisë së Gylenit, të cilët analizuar gjetjet dhe konkluzionet e Dr. Pahl.

Prof. Dr. Gjergj Sinani shprehet se Gyleni na bën të kuptojmë se kapitalizmi nuk është vetëm për përfitim, pasi nëse do ta shihnim vetëm në këtë mënyrë, shoqëria do të përballej me probleme të mëdha.

Nëse motivi i jetës së individëve do të jetë vetëm përfitimi, ata do të përballen me probleme të mëdha në të ardhmen, thoshte Gyleni. Ky është problemi edhe në Shqipëri që nuk e kuptojnë se edhe demokracia ka nevoje për moralizëm. Pa u edukuar demokracia nuk funskionon”, tha Sinani.

Njësoj siç thoshte Tocqueville, ndoshta edhe Gyleni u përpoq ta moralizonte shoqërinë përmes fesë dhe sigurisht kjo ngjall armiqësi të pushteteve, pasi tiranët e sotëm nuk e pëlqejnë moralizmin, sepse kështu preket pushteti i tyre”, shtoi ai.

Gylen, me anë të dhjetra librave e qindra ligjëratave ka nxitur njerëzit që të investojnë në edukim e në shkencë dhe ti shërbejnë njerëzimit.

Kjo biografi sjell një këndvështrim më të gjerë rreth figurës së Gylenit në të gjitha dimensionet e tij. /GazetaExpress