Një javë para se të lerë postin e kreut të SPAK, Altin Dumani nderohet nga britanikët me medaljen e guximit dhe integritetit

Në prag të përfundimit të mandatit të tij si drejtues i SPAK, Altin Dumani është vlerësuar nga autoritetet britanike me një medalje të veçantë mirënjohjeje, duke kurorëzuar kështu një periudhë të gjatë pune intensive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Në një postim zyrtar, Ambasada Britanike në Tiranë bëri të ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar, Graeme Biggar, ka pritur në Londër kreun e SPAK, Altin Dumanin, së bashku me Drejtorin e sapoemëruar të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.

Gjatë takimit, Biggar i dorëzoi Dumanit një medalje lëvdate në shenjë vlerësimi për lidershipin e tij të palëkundur, për guximin dhe integritetin e treguar në luftën kundër Krimit të Rëndë dhe të Organizuar, si dhe për kontributin e tij të rëndësishëm në forcimin e drejtësisë në Shqipëri.

“Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar, z. Graeme Biggar, priti këtë javë kreun e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar të Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (z. Altin Dumani) dhe Drejtorin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (Joni Keta). Z. Biggar i ka dhënë një medalje lëvdate z. Dumani për të njohur lidershipin e tij dhe për të nderuar guximin dhe integritetin e tij në luftimin e Krimit të Rëndë dhe të Organizuar dhe në ndjekjen e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ambasada.

Nderimi nga autoritetet britanike vjen vetëm një javë para se Dumani të përmbyllë detyrën e tij si kreu i Prokurorisë së Posaçme, duke lënë pas një institucion më të fortë dhe një standard të ri në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta.

Mandati i Dumanit përfundon më datën 16 dhjetor, ndërkohë që më 11 dhjetor 25 në KLP do të zhvillohen intervistat me katër prokurorët që kandidojnë për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për pozicionin e kreut të SPAK kandidojnë Klodian Braho, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj.


Shtuar 9.12.2025 16:18