Një ditë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar, vihet në lëvizje Adriatik Llalla

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me 2 vite burg për fshehje pasurie.

Ky veprim i Llallës erdhi një ditë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar, pa u mbyllur dita e 16 e dënimit të tij për akuzën e fshehjes së pasurive në tre episode.

I dënuar me dy vite burgim dhe pesë vjet të heqjes të së drejtës për të ushtruar funksione publike, Llalla nuk u gjet në banesën e tij dhe gjatë kësaj kohe ai u mbajt në kërkim kombëtar, ndonëse nga këqyrja e sistemit TIMS rezultoi se ai ishte larguar në drejtim të paditur.

Tanimë autoriteteve jashtë Shqipërisë do tu duhet të zbulojnë vendndodhjen e tij dhe t’ja dorëzojnë drejtësisë në vend, teksa avokati i tij mbrojtës jo vetëm insiston se klienti ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të arrestohet por që gjithashtu ai do t’i drejtohet gjykatës së lartë me një rekurs.


Shtuar 9.10.2021 11:31