Një ditë pas ndryshimeve në qeveri, Rama mbledh kabinetin, Balluku, Vengu dhe Spiropali nuk ishin të pranishëm

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, një ditë pas ndryshimeve në qeveri, ka mbledhur kabinetin. Mësohet se në këtë mbledhje që ka zgjatur më pak se 30 minuta, nuk kanë marrë pjesë ministrat e rinj të zgjedhur prej tij, por gjithashtu nuk kanë marrë pjesë edhe tre të shkarkuarit, konkretisht, Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu.

Ministrat e rinj, Enea Karakaçi, Ermal Nufi, Erjona Ismaili dhe Ferit Hoxha do të duhet të kalojnë në procedurat e marrjes së detyrës.

Kujtojmë që krahas shkarkimit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama ka bërë edhe disa ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar.

Lëvizjet prekin ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, atë të Brendshme, të Drejtësisë, Mbrojtjen e deri te ajo e Jashtme.

Belinda Balluku, e vënë nën akuzë nga SPAK, do të zëvendësohet në postin e numrit dy të qeverisë nga Albana Koçiu, e cila mbante postin e ministres së Brendshme.

Ndërsa postin e Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, do ta marrë Enea Karakaçi, i cili është administrator i OSHEE-së.

Besfort Lamallari, ikën nga ministria e Drejtësisë dhe shkon në krye të Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Albana Koçiun.

Besort Lamallari, zëvendësohet nga Toni Gogu, ky i fundit do të jetë ministri i ri i Drejtësisë. Në postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që mbante deri më Toni Gogu, do të emërohet deputetja e Vlorës, Erjona Ismaili.

Kreu i Qeverisë ka shkarkuar edhe Pirro Vëngun nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Në vendin e tij në krye të Mbrojtjes është emëruar Ermal Nufi.

Po ashtu  nga kabineti qeveritar ka larguar edhe Elisa Spiropalin si ministre e Punëve të Jashtme, duke e zëvendësuar këtë të fundit me Ferit Hoxhën, ambasadorin e Shqipërisë në OKB.

NDRYSHIMET NE QEVERI

Zv.kryeministre, Albana Koçiu – Shkarkohet Belinda Balluku

Ministër i Brendshëm, Besfort Lamallari– Zëvendëson Albana Koçiun

Ministër Drejtësie, Toni Gogu– Zëvendëson Besfort Lamallarin

Ministër Energjitike, Enea Karakaçi– Shkarkohet Belinda Balluku

Ministër i Mbrojtjes, Ermal Nufi– Shkarkohet Pirro Vengu

Ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili– zëvendëson Toni Gogun

Ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha – Shkarkohet Elisa Spiropali

 


Shtuar 27.02.2026 11:35