Efektivët e Gardës me urdhër të kryeparlamentares Elisa Spiropali, kanë ndaluar deputetët e Partisë Demokratike, që të futen në seancën e sotme plenare.
Kjo ka sjellë që deputetët menjëherë sapo kanë mbërritur në oborrin e Kuvendit të përplasen me gardistët, teksa e kanë patur të pamundur të futen, pasi vlen të theksohet fakti se socialistët kanë dyfishuar numrin e gardistëve nga hera e fundit, si dhe kane rrethuar godinën e Kuvendit me kangjella.
Deputetët e PD-së, kanë kërkuar që të lejohen të hyjnë brenda Kuvendit deputetët të cilët nuk janë përjashtuar.
Ndërkohë, socialistët janë futur në Kuvend 90 minuta para nga frika e përplasjes me deputetët e opozitës.
Në seancën e sotme plenare, është programuar që të zhvillohet interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaron, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, si dhe raportimi i raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit.