Pas reshjeve të shiut, në të gjithë qarkun e Dibrës, këtë të enjte, kanë nisur reshjet e dëborës. Në zonat e thella malore, si Njësia Administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, Zall-Dardhë, Reç, Trebisht, Ostren, si edhe në zonën e Martaneshit, raportohet se trashësia e dëborës ka kaluar 10 centimetra.
Si pasojë, kanë vijuar vështirësitë në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në rrugët që lidhin fshatrat e thella.
Situata është rënduar edhe nga rrëshqitjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të rrugëve në disa njësi administrative të qarkut.
Sipas informacionit të marrë pranë bashkive, strukturat vendore janë në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugëve dhe normalizimin e situatës, me qëllim garantimin e lëvizjes dhe sigurisë së banorëve.

