Sot në një gjykatë në Kolorado nisi paraqitja e argumentave ligjore për një padi që synon shfrytëzimin e një dispozite kushtetuese mbi “kryengritjen” për të penguar ish presidentin Donald Trump që të kandidojë sërisht për këtë post.
Dëshmitë në seancën e sotme, do të përqëndrohen në faktin nëse sulmi i dhunshëm ndaj Kapitolit në 6 janar përbën kryengritje, siç përcaktohet në Amendamentin 14 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe nëse roli i zotit Trump në të, do t’i ndalonte mbajtjen e një detyre shtetërore.
Avokatët e ish presidentit Trump e cilësuan çështjen si “anti-demokratike”.
Po gjatë kësaj jave, Gjykata e Lartë e Minesotës pritet të nis shqyrtimin e një tjetër padie të ngjashme.
Të dyja çështjet pritet të përfundojnë në Gjykatën e Lartë.
Gjykata më e lartë e vendit nuk ka marrë kurrë një vendim lidhur me Amendamentin 14 të Kushtetutës.
Seanca paraprake në Kolorado nisi me detaje rreth sulmit të vitit 2021 që synonte pengimin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve që shpallnin fitues zotin Joe Biden. Avokati Eric Olson, që përfaqëson një grup votuesish të Kolorados kërkon që zoti Trump të mos ketë mundësi të garojë, duke sjellë detaje nga retorika e dhunshme e zotit Trump dhe nxitja e një turme njerëzish që iu afrua deri në 12 metra zyrës së Zëvendës Presidentit kur sulmuan Kapitolin. Ai tha se zoti Trump “urdhëroi dhe organizoi turmën”.
“Jemi këtu sepse zoti Trump pretendon, se pas gjithë kësaj, ai ka të drejtë të jetë sërish President”, tha zoti Olson. “Por Kushtetuta jonë, përcakton se ai nuk mundet”.
Sidoqoftë, avokati i zotit Trump, Scott Gessler, e cilësoi padinë “anti-demokratike” dhe vuri në dukje, se së paku edhe një kandidat për president, Eugene Debs, garoi për postin, ndërsa ndodhej në burg dhe askush nuk u përpoq ta përjashtonte atë nga gara.
“Se kush do ta drejtojë kombin e përcaktojnë qytetarë amerikanë dhe jo 6 votues nga Kolorado, që kanë zgjedhur ta padisin atë”, tha ai.
Të enjten, edhe në Gjykatën e Lartë të Minesotës pritet të dëgjohen argumentet të ngjashme për ta penguar zotin Trump të garojë në këtë shtet.
Pavarësisht vendimeve të gjykatësve në këto dy shtete, gjasat janë që çështja do të apelohet me shpejtësi, me shumë mundësi në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë nuk ka shqyrtuar ndonjëherë ndonjë rast që lidhet me Amendamentin 14 të Kushtetutës, i miratuar gjatë Luftës Civile.
Ky amendament i ndalon zyrtarët publikë që janë betuar të mbrojnë Kushtetutën, por më pas “janë përfshirë në kryengritje për ta përmbysur rendin kushtetues” të mbajnë përsëri detyra shtetërore.
“Në të shkuarën ka patur seanca paraprake mbi ligjshmërinë e kandidatëve për t’u zgjedhur President. Kandidatët Barack Obama, Ted Cruz dhe John McCain u përballën me sfida ligjore sa i përket kriterit kushtetues që kandidati të ketë lindur në Shtetet e Bashkuara. Por këto raste ligjore janë krejt ndryshe nga kjo pikë e paqartë kushtetuese e Amendamentit që ndalon kandidimin në rast pjesëmarrjeje në kryengritjeje”, thotë Derek T. Muller, profesor i të drejtës ligjore në universitetin “Notre Dame”, në shtetin e Indianës.
Gjatë muajve të fundit janë ngritur një sërë padish që citojnë Nenin 3 të Amendamentit 14 të Kushtetutës, por paditë në Kolorado dhe Minesota, duket të jenë më të rëndësishmet, sipas ekspertëve ligjorë.
Kjo për faktin se janë depozituar nga dy grupe liberale që mbështeten nga njohës të mirë të ligjit. Po ashtu paditë janë ngritur në shtete të caktuara dhe synojnë procese të shpejta dhe të qarta lidhur me kriteret e kandidatëve për t’u zgjedhur.
Në këtë padi argumenti është i thjeshtë, përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, çuan në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, që do të thotë se atij i ndalohet të kandididojë për President, njësoj si të mos plotësonte kriteret që lidhen me faktin se kandidatët duhet të kenë lindur në Shtetet e Bashkuara apo kritere të tjera kushtetuese që duhen plotësuar për të garuar për në Shtëpinë e Bardhë.
“Katër vjet pasi mori detyrën, duke u betuar se, si President i Shteteve të Bashkuara do të ishte mbrojtës dhe garant i Kushtetutës, zoti Trump u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që nxiti kryengritjen e dhunshme ndaj Kapitolit, për të penguar transferimin e pushtetit. Duke nxitur këtë sulm të pashembullt ndaj rendit kushtetues të vendit, zoti Trump shkeli betimin dhe e përjashtoi veten nga e drejta për të mbajtur një post shtetëror, siç përcakton Amendamenti 14 i Kushtetutës”, thuhet në padinë e depozituar në shtetin e Kolorados në emër të votuesve Republikanë dhe atyre pa përkatësi politike, nga grupi liberal Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë, në Uashington.
Ish presidenti Trump thotë se paditë janë “ndërhyrje në zgjedhje”.
Zoti Trump i ka cilësuar paditë si “ndërhyrje në zgjedhje”. Avokatët e zotit Trump thonë se kjo pikë kushtetuese nuk prek postin e Presidentit, pasi në përkufizim Presidenti nuk përmendet në mënyrë të qartë, njësoj siç përkufizohet për “Senatorët ose Përfaqësuesit e Kongresit”.
Ky amendament e lejon Kongresin që të miratojë amnisti, siç ndodhi në 1872, për ata që mbështetën Konfederatën, të ishin sërish pjesë e qeverisjes, çka ka nxitur disa të argumentojnë se amendamenti nuk ka fuqi pa një akt miratimi nga Kongresi.
Avokatët e zotit Trump argumetojnë se ish presidenti “nuk u përfshi asnjëherë në kryengritje” dhe se thjesht po ushtronte të drejtën e shprehjes mbi rezultatin e zgjedhjeve, që sipas tij, u manipulua.
“Zoti Trump as nuk bëri thirrje për shkelje ligjore, jo më të përfshihej në kryengritje”, shkruajnë avokatët e tij në dosjen ligjore lidhur me çështjen në shtetin e Kolorados.