Ministri i Financave, Petrit Malaj, i ka hapur rrugën nisjes së rivlerësimit të banesave kundrejt tatimit prej 5 për qind të vlerës së shtuar të pronës.
Në udhëzimin që tashmë ka hyrë në fuqi, duke nisur dhe zbatimin nga dita e sotme, do të ketë edhe një pagesë shërbimi që do të jetë e ndarë në tre kategori.
“Deri në 150 mijë lekë, tarifa e shërbimit do të jetë 3 500 lekë.
Nga 150 mijë e 1 lekë deri në 300 mijë lekë, tarifa e shërbimit shkon në 7 mijë lekë.
Mbi 300 mijë e 1 lekë, tarifa e shërbimit shkon në 10 mijë lekë”, saktësohet në udhëzim.
Veprimet do të kryhen përmes e-Albania-s, ndërsa afati do të jetë deri në fund të vitit.
“Aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK – së, brenda datës 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027”, thuhet në udhëzim
