Nis punën Njësia Policore Detare, Rama entuziast: Çdokush që shkel këtë mision do marrë ndëshkimin maksimal

Njësia Policore Detare, e përbërë nga 104 punonjës ka nisur sot punën dhe pritet të sigurojë jetën e pushuesve në bregdetin shqiptar.

Njësia do të shërbejë edhe për monitorimin e të gjitha mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore shqiptare gjatë sezonit turistik veror.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e Njësisë së re në Lungomare të Vlorës, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si dhe drejtues të lartë dhe efektivë të policisë.

104 punonjësit janë të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e  Rendit, e trajnuar dhe e  certifikuar nga specialistë të  Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit & Migracionit.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij iu drejtua në mënyrë të prerë punonjësve që do të angazhohen në këtë detyrë, duke theksuar se çdokush që e shkel këtë do të përballet me ndëshkim maksimal.

Rama: Ky është mision, kjo nuk është thjesht një detyrë. Ky është një mision për popullin shqiptar, për kombin shqiptar, për shtetin shqiptar dhe çdokush që shkel një fije sensin e këtij misioni, çdokush që sillet padenjësisht me ata që vijnë në shtëpinë tonë apo që lëvizin nga shtëpia e tyre këtu, për të shkuar e për të pushuar, do të marrin ndëshkimin më maksimal sepse duhet të konsiderohet në pozicion armiqësor me këtë mision kombëtar, i padenjë për të qenë pjesë e kësaj force./Albeu.com/


Shtuar 6.05.2023 15:24