Ka nisur numërimi i votave të Greqisë në Parkun Olimpik.
Janë rreth 50 mijë vota të mbërritura me zarfe nga fqinji jugor të cilat u hoqën mënjanë nga KQZ, pasi u kontestuan nga PD. Nga ana tjetër, ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera.
246 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit u regjistruan në sistemin online të KQZ për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por nga këta, 194 mijë emigrantë shprehën verdiktin e tyre duke kthyer në KQZ zarfin me votën.
Rreth 20 mijë zarfe nuk mbërritën asnjëherë në destinacion ndërsa pjesa tjetër e përfaqësuesve të diasporës nuk denjuan të kthenin zarfin.
Ditën e djeshme Kolegji Zgjedhor ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën padinë e Partisë Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Administratës Shtetërore (KAS).
PD kishte kundërshtuar lejimin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia, duke e konsideruar këtë një shkelje të procedurave. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi pranoi ankimimin e PD-së dhe urdhëroi pezullimin e numërimit për votat e Greqisë, të cilat u veçuan nga zarfet e tjera.
Ndërkohë, KAS rrëzoi urdhrin e Celibashit dhe vendosi që të pranohej numërimi i këtyre votave si pjesë e procesit zgjedhor.
Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të kërkesës, e ka cilësuar si të pavlefshme kërkesën e PD-së, duke konfirmuar kështu vlefshmërinë e numërimit të votave të Greqisë.