Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se pasditen e 14 tetorit ka nisur puna në tri Qendrat Komunale të Numërimit në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot, teksa ky proces po vazhdon edhe në komuna të ndryshme.
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk kishte nisur në këto tri komuna për shkak të problemeve me internet.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, tha se në qendrat e numërimit po zhvillohen tri aktivitete njëkohësisht: “verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvende komunale dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale”.
Elezi po ashtu tha se procesi i numërimit të votave ka përfunduar në Junik, Mamushë dhe Zveçan, ndërkaq në Han të Elezit ishte përmbyllur të hënën në mbrëmje.
Deri në orën 16:00 të së martës, KQZ tha se janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvende komunale nga 334 vendvotime.
“Nga po kaq vendvotime, 334, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për kuvendet komunale”, tha Elezi.
I pyetur nëse mund të arrihen afatet e përcaktuara kohore për organizimin e rundit të balotazhit, zëdhënësi i KQZ-së tha se procesi po zhvillohet me një ritëm të mirë dhe beson se do të arrihen afatet për organizimin e balotazhit.
Një ditë më parë, Elezi kishte njoftuar për pengesat në numërim në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot.
Ai kishte sqaruar se problemi qëndronte në atë se “transmetimi i pamjeve në televizorët/ekranet për vëzguesit”.
“Në këto ekrane shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për tu parë nga të gjithë”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.
Votat me kusht. të personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna, gara zgjedhore përfundoi në rundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të zhvillohet balotazh.
Dalja në votime ishte nën 40 për qind – më e ulët se në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, që u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja kishte marrë kritika të shumta për procesin, pasi që uebfaqja ku publikoheshin rezultatet nuk funksiononte.
Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve binte nga sistemi vazhdimisht, kishin ngritur dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.
Por, KQZ-ja i kishte hedhur poshtë dyshimet e ngritura rreth procesit zgjedhor, duke thënë se “integriteti i votës nuk është i cenuar”.
Këtë herë uebfaqja e KQZ-së nuk është përballur me probleme, mirëpo në disa qendra komunale të numërimit ka pasur probleme me lidhjen e internetit./REL