Nga Nikos Kotzias “Kathimerini”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Askush nuk i zgjedh fqinjët e vet gjeografikë. Për këtë arsye është thelbësore të gjenden rregullat për të bashkëjetuar me ta.
Si për shembull Rregulli nr.1: Një vend si Greqia duhet të ketë një strategji të nivelit të lartë dhe afatgjatë për t’u marrë me një fqinj që shpesh e provokon dhe pretendon territoret e saj tokësore dhe detare.
Një strategji që sipas meje duhet të kombinohet me vlerat dhe interesat e vendit. Vendi jonë duhet të synojë bashkëjetesën paqësore dhe zgjidhjen e problemeve kur dhe nëse është e mundur. Por në të njëjtën kohë duhet të jetë në gjendje ta përballojë çdo sfidë me çdo mjet të mundshëm.
Rregulli nr.2: Çdo kompromis duhet të jetë i dobishëm për të dyja palët. Ne flasim, dhe kur është e nevojshme dhe e mundur, negociojmë me fqinjin tonë. Asnjëherë nuk i shpallim paraprakisht lëshimet që jemi të gatshëm të bëjmë por as i fshehim nën tapet ato, sepse pala tjetër do t’i merrte të mirëqena që në fillim.
Dhe rrjedhimisht gjatë ecurisë së negociatave, do të kërkojë më shumë. Në këtë këndvështrim, deklarimi i lëshimeve dhe aq më keq akoma shpallja e humbjes së sovranitetit as që duhej hedhur në tavolinën e bisedimeve, dhe kryeministri ka bërë një gabim historik.
Rregulli nr.3: Një opsion i përgjithshëm i politikës (debat, negocim, kompromis) nuk është i gabuar apo i drejtë në formulimin e tij të përgjithshëm. Ai bëhet i gabuar ose i drejtë nga konteksti në të cilin është krijuar dhe nga kushtet e zbatimit të tij.
Për shembull, referimi i mosmarrëveshjeve greko-turke në një gjykatë ndërkombëtare (mundësisht në Hagë), nuk është i gabuar apo i drejtë në vetvete. Është gabim nëse bëhet pa kushte dhe përgatitje paraprake. Dhe këtu qëndrojnë gabimet dhe të metat e pushtetit aktual.
Përpara se të shihni “të mirën” e një negocimi dhe një marrëveshjeje, ju nuk duhet të hiqni dorë, as me fjalë nga armët tuaja ligjore dhe mbrojtëse. Që vendi të shkojë në Hagë, duhet të ketë bërë përgatitjen e duhur. Ai duhet të studiojë të gjitha vendimet e gjykatës si dhe publikimet e stafit të gjyqtarëve dhe deklaratat e vetë gjyqtarëve.
Po ashtu duhet të ketë vënë rregull në shtëpinë e tij, përfshirë mbylljen e të gjitha gjireve (që prodhojnë sovranitet), si dhe zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje detare në të gjitha zonat jashtë kontrollit diplomatik.
Në të njëjtën kohë, vendi duhet të hapë kanale ndërkombëtare për të shmangur interesat dhe pikëpamjet e vendeve të treta që duan të kalojnë tranzit në dete në të cilat vendi ynë ushtron sovranitetin e tij. Dhe e kam fjalën jo vetëm të drejta sovrane, siç është rasti me zonat ekskluzive ekonomike (ZEE).
Për sa i përket këtyre të fundit, është tashmë e sigurt se gjykata do të marrë parasysh lëshimet e shumta të bëra nga qeveria greke për të pranuar të gjitha kërkesat e Italisë dhe Egjiptit, lëshime që do të kërkohen edhe nga Turqia.
Për më tepër, unë besoj se ka të ngjarë që së shpejti të ketë një marrëveshje midis Egjiptit dhe Turqisë për ZEE-të e tyre, e cila mund të përfshijë fare mirë pjesën e detit që qeveria Mitsotakis e la gabimisht jashtë marrëveshjes greko-egjiptiane.
Madje, duket se kryeministri ka rënë dakord që Greqia të mos zgjerojë asnjë zonë pa marrëveshjen e Turqisë.
Nëse kjo gjë është e vërtetë, do të thotë se ai ka braktisur linjën e politikës për të mos pasur asnjë mosmarrëveshje tjetër me Turqinë përtej ZEE/Shelfit kontinental. Dhe ai jo vetëm që shtoi zyrtarisht një tjetër mosmarrëveshje, por i dha Turqisë një zë mbi zonat e tjera greke dhe jo vetëm ato detare.
Rregulli nr.4: Turqia duhet të angazhohet të respektojë të gjitha dispozitat e së drejtës ndërkombëtare. Ajo duhet të pranojë plotësisht juridiksionin dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pra ajo duhet të ratifikojë UNCLOS (Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit).
Përndryshe, si mund t’i besojmë asaj se do të respektojë rezultatet e një apeli të tillë? Të mos harrojmë shkeljet e vazhdueshme të rezolutave të OKB-së për çështjen e Qipros. Pasi Turqia të ketë ratifikuar UNCLOS-in, ajo duhet të tërheqë menjëherë çdo casus belli (shkas për luftë).
Përndryshe, si do të shkojmë në gjykatë? Nën kërcënim? Po sikur Turqia të mos miratojë asnjë vendim?
Rregulli nr.5: Kur jeni në një marrëveshje me një fqinj, pengoni çdo lloj qëllimi irredentist. Në rastin e Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut hoqi që në fillim dorë nga çdo irredentizëm gjeografiko-territorial me bazë popullsie, dhe u detyrua të hiqte dorë edhe nga çdo irredentizëm tautologjik “modern” historiko-kulturor.
Në Marrëveshjen e Prespës, në paragrafin 7, Maqedonia e Veriut pranoi se vendi dhe popullsia e saj nuk kanë asnjë lidhje me historinë e lashtë greke apo Maqedoninë e Aleksandrit të Madh, e cila ishte dhe është ende greke.
Mjerisht, në marrëdhëniet tona me Turqinë, kryeministri aktual i Greqisë ka bërë pikërisht të kundërtën. Ai bëri të ditur se dallimet tona do të kalojnë nga fusha e së drejtës në atë të gjeopolitikës. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai na riktheu në irredentizmin e shekullit XIX-të.
Rregulli nr.6: Përpara se të shihni “të mirën” e një negocimi dhe një marrëveshjeje, nuk duhet të hiqni dorë nga armët tuaja, ligjore dhe mbrojtëse.
Lajmi i keq është se kryeministri ynë pranoi të fliste për çmilitarizimin e ishujve grekë, teksa 40 për qind e territorit qipriot mbetet nën pushtimin turk.
Duke harruar se çfarë ndodhi kur u tërhoq nga Qipro brigada ushtarake greke. Për këtë arsye unë them se ka shumë lloje kompromisesh. Ka nga ato që janë pozitive, kreative, si dhe taktike, të përkohshme, afatgjata. Por ndërkohë ka edhe kompromise të kalbura e të gabuara, dhe gjithçka tregon se në këtë rast kemi të bëjmë me njërin prej tyre.
Rregulli nr.7: Nuk duhet të përziejmë asnjëherë çështjet për të justifikuar lëshimet e panevojshme. Partia Demokracia e Re, me pëlqimin e një pjese të SYRIZA-s, pretendon se kryeministri po përgatit “Prespën e Egjeut”. Pyes veten, nëse Marrëveshja e Prespës ishte një “tradhti”, atëherë si mundet që kryeministri të ketë një synim të ngjashëm në marrëdhëniet greko-turke?
Por le të supozojmë për një moment se kryeministri e pranon sot se Marrëveshja e Prespes me Maqedoninë e Veriu ishte një marrëveshje e shkëlqyer, siç shprehet ai në takimet e tij ndërkombëtare. A mund të jetë koha për ta zbatuar atë si dhe marrëveshjet e saj bashkëshoqëruese? Më e rëndësishmja, është një fyerje ndaj Marrëveshjes së Prespës që ajo të përmendet për të justifikuar përgatitjen e dobët të qeverisë për një kompromis të gabuar.
Më lejoni të shpjegohem. Së pari, Marrëveshja e Prespës krijoi të gjitha kushtet për t’i dhënë njëherë e mirë fund irredentizmit.
Një gjë e tillë jo vetëm që nuk po ndodh me “zhvendosjen gjeopolitike alla Mitsotakis” të marrëdhënieve greko-turke, por po riprodhohet në një masë të madhe.
Së dyti, me Marrëveshjen e Prespës, Greqia mori përsipër të mbështesë dhe deri diku të kontrollojë dhe trajnojë mekanizmat mbrojtës të fqinjit. Përkundrazi, ajo që po përgatit kryeministri parashikon çarmatimin e një pjese të Greqisë me kërkesën e Turqisë.
Së treti, Maqedonia e Veriut si emër dhe status kushtetues erdhi nëpërmjet ndryshimeve të parashikuara në mënyrë të detyrueshme në Marrëveshjen e Prespës, në këmbim të lehtësimit të anëtarësimit të saj në BE.
Pyetja është se çfarë saktësisht do të marrë si lëshim Greqia nga Turqia?
Kryeministri Mitsotakis dhe stafi i tij argumentojnë se dërgimi i Turqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një tërheqje nga ana e saj. Në fakt nuk është kështu, sidomos pa kushtet që vendosa unë kur isha ministër.
Për më tepër, në dallim nga ajo që ndodhi me Maqedoninë e Veriut, qeveria e Demokracisë së Re pranoi riemërimin e një pjese të madhe të Detit Egje si Turkagean…
Së fundmi, ndërsa Greqia dhe Maqedonia e Veriut arritën kompromise reciproke, që sollën përfitime për të dyja palët, me aq sa na ka njoftuar kryeministri ynë, përfitimet kanë qenë kryesisht në mënyrë të njëanshme në favor të Turqisë.
Pyetja është pse po ndodh kjo gjë?
Ndoshta sepse disa njerëz në qeverinë aktuale nuk i kuptojnë pasojat afatgjata për vendin, dhe duan që të kënaqin palët e treta?
Ndoshta sepse disa po e braktisin opsionin e anëtarësimit të barabartë në BE, dhe po përgatiten të bëhen partneri i vogël i Turqisë?
Apo kjo mund të jetë për shkak se po u shërbehet interesave të biznesit? /albeu.com