Pas miratimit në Kuvend të rezolutës për Kosovë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka lexuar njoftimin e kryedemokratit Lulzim Bashës drejtuar Kuvendit për largimin e Gazment Bardhit nga PD.
Pasi Nikolla e ka lexuar, ka ardhur dhe reagimi i Bardhit, i cili e ka cilësuar veprimin e Nikollës akt të pashembullt në historinë e pluralizmit politik që mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën në Parlament.
“Nervozizmi i Edi Ramës për unifikimim e qëndrimit të Shqipërisë me atë të Kosovës, nuk u shfaq vetëm me mungesën e tij skandaloze në votimin për Rezolutën për dënimin e Serbisë, por edhe nga sjellja e paprecedentë e Kryetares së Kuvendit në fund të seancës së sotme të posaçme.
Marrja peng nga Edi Rama e Reformës Zgjedhore dhe rrëzimi i Komisioneve Hetimore të kërkuara nga opozita, si dhe ndërhyrja në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit e Kryetares së Kuvendit në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD, përbën aktin më të pashembullt në historinë e pluralizmit politik që mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën në Parlament”, deklaron Bardhi.