Nigel Farage njofton takimin me Ramën: Do i shkoj për drekë me një avion të mbushur me të dënuar

Deputeti britanik, Nigel Farage, pak muaj pasi pranoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për t’u takuar dhe biseduar lidhur me emigrantët shqiptarë të paligjshëm në Britani, ka konfirmuar se do të takohet me kreun e qeverisë shqiptare pas disa javësh.

Në një takim në Birmingham, ai deklaroi se do të deportojë azilkërkuesit që përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Deputeti britanik shprehet se në takimin me Ramën, mund të shkoj me një avion të mbushur me emigrantë të dënuar shqiptarë.

“Ne do të deportojmë kriminelët e huaj. Do të ha drekë pas disa javësh me kryeministrin e Shqipërisë. Mund të rezervoj edhe një avion të madh dhe të marr me vete disa persona, ende s’jam i sigurt. Do të ndalim atë që përbën një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare, një rrezik për vajzat dhe gratë në rrugët tona.

Do t’i ndalim varkat dhe do të ndalojmë e deportojmë ata që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, duke bërë atë që bëjnë pothuajse të gjitha vendet normale të botës. Nuk mund të hysh ilegalisht dhe të qëndrosh, do t’i ndalim varkat brenda dy javësh nga marrja e qeverisjes”, deklaroi ai.

Në takimin në Birmingham, ai deklaroi se do të deportojë azilkërkueset femra përsëri te talebanët në Afganistan nëse fiton zgjedhjet e ardhshme, por më pas deklaroi të kundërtën.

“Për qartësi, ata që kalojnë Kanalin Anglez do të ndalohen dhe do të deportohen, burra dhe gra”, shtoi ai.

“Sa u përket fëmijëve, duhet të mendojmë”.


Shtuar 6.09.2025 15:59