Lajmi për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, pas goditjeve të Shteteve të Bashkuara në Karakas, shënon një moment historik në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Amerikës Latine.
Në analizën e saj, BBC përpiqet të deshifrojë se çfarë mund të ndodhë në Venezuelë ditën pas këtij zhvillimi dramatik.
Media britanike, thekson se Shtetet e Bashkuara nuk kishin ndërmarrë një ndërhyrje kaq të drejtpërdrejtë në rajon që nga viti 1989, kur pushtuan Panamanë për të rrëzuar udhëheqësin ushtarak të asaj kohe, Manuel Noriega.
Largimi i Maduro-s nga Venezuela, siç pretendon Donald Trump, do të perceptohet si një fitore e madhe për krahun më “të ashpër” brenda administratës amerikane, disa prej të cilëve kanë mbështetur hapur nevojën për ndryshim regjimi në Karakas.
Kujtojme se SHBA akuzojnë Nicolás Maduro-n si kreun e një organizate kriminale të trafikut të drogës, akuza që ai i ka mohuar kategorikisht.
Uashingtoni nuk e njeh atë si president legjitim të Venezuelës, duke argumentuar se zgjedhjet e vitit 2024 nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.
Nga ana tjetër, Karakasi ka akuzuar vazhdimisht SHBA-në se synon të përvetësojë rezervat fitimprurëse të naftës së vendit, të cilat konsiderohen më të mëdhatë në botë.
Cfarë do të ndodhë brenda Venezuelës?
Ajo që mbetet ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë brenda Venezuelës, nëse regjimi i Maduro-s bie.
Mbështetësit e ndërhyrjes amerikane pretendojnë se kjo do t’i hapë rrugën opozitës venezueliane për të marrë pushtetin, nën drejtimin e fitueses së Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, ose të kandidatit të opozitës në zgjedhjet e vitit 2024, Edmundo González.
Megjithatë, shumë analistë paralajmërojnë se situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, pasi në lojë hyn roli i ushtrisë, si dhe rreziku i destabilizimit të vendit.
Ushtria dhe grupet paramilitare në Venezuelë mbeten besnike ndaj Maduro-s dhe madje edhe disa nga kritikët e tij kanë shprehur frikën se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e SHBA-së mund të çojë në destabilizim të mëtejshëm të vendit.
Është e sigurt se pas lajmit për arrestimin e Maduro-s, shumë nga aleatët e tij më të afërt tashmë do të jenë seriozisht të shqetësuar për të ardhmen e tyre politike dhe personale.



