VIDEO/ Ngriti në këmbë Vlorën, arrestohet 25-vjeçari i Benzit që goditi Fiatin në Skelë, akuzohet për dy vepra penale

Policia e Vlorës ka reaguar në lidhje me sherrin banal paraditen e sotme, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën, për shkak të një parakalimi.

Blutë theksojnë se ndërhyrja e tyre ka qenë e menjëhershme, duke parandaluar edhe përshkallëzimin e konfliktit mes shtetasve.

Siç u bë me dije edhe më herët, në momentin më kritik, ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e një efektivi civil të forcave “Shqiponja” ka bërë të mundur ndalimin e shoferit të Benz-it, duke parandaluar kështu një tragjedi të mundshme.

Sipas njoftimit, bëhet me dije se është arrestuar 25-vjeçari, i cili goditi disa herë me automjetin e tij, automjetin e një shtetasi tjetër, duke i rrezikuar jetën.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Policia ndërhyn në kohë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti mes dy shtetasve, për motive të dobëta.

Goditi disa herë me automjetin e tij, automjetin e një shtetasi tjetër, duke i rrezikuar jetën, vihet në pranga 25-vjeçari.

Menjëherë pas konstatimit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit, si dhe nga strukturat e tjera të DVP Vlorë që ishin në shërbim, se dy drejtues mjetesh, në vendin e quajtur “Rrethi i Skelës”, ishin përfshirë në një konflikt, ku njëri prej tyre, shtetasi E. H., 25 vjeç, po godiste në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij, automjetin e shtetasit G. D., 18 vjeç, duke i rrezikuar jetën, ndërhynë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe duke neutralizuar shtetasin E. H.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 23.06.2025 17:51