Ngricat dhe mungesa e prodhimit vendas, shtrenjtojnë me 25-40% çmimet e perimeve

Temperaturat ekstreme negative që përfshinë vendin vetëm pak javë më parë kanë dhënë goditjen e parë më afatshkurtër në produktet e fushës duke çuar çmimet e tyre në nivele statosferike.

Tregtarët raportuan se në tregjet e shumicës sallata jeshile, spinaqi dhe lakra kishin ardhur në rritje graduale që nga janari e në vazhdim në shkurt. Sipas tyre, arsyet kryesore lidhen me prodhimin e pakët vendas ndërkohë që një pjesë e atij që ishte potencial për të prekur tregun gjatë kësaj periudhe është humbur pasi nuk rezistoi në ditët e ftohta.

Pritshmëritë e tyre janë që i gjithë shkurti të përkufizohet nga çmime relativisht të larta për produktet në fjalë, ndërkohë që për zbutje të tyre mund të flitet vetëm pas daljes së prodhimit të serave, që nis nga marsi.

Temperaturat me minus që përfshinë thuajse gjithë vendin nuk përjashtuan as zonën e Myzeqesë e cila është edhe kryesorja në prodhim përgjatë gjithë vitit. Temperaturat e ngrohta mundësojnë që edhe gjatë dimrit të merret prodhim në disa kultura të cilat rezistojnë në ambient të hapur ndërkohë që paralelisht edhe prodhimi i serave zë një vend të rëndësishëm.

Çmimet në janar dhe shkurt

Konkretisht javëve të fundit sallata jeshile e cila luhatej gjatë dhjetorit mes 200 dhe 220 lekë mesatarisht me shumicën në këtë periudhë është luhatur mes 250-260 me shumicë, me shtrenjtim rreth 25-30%.

Spinaqi i cili gjatë dhjetorit ishte mes 100-120 lekë kilogrami me shumicë ka çuar mesataren tani tek 140-160 lekë, duke u shtrenjtuar me rreth 40%.

Po kështu një rritje atipike është vërejtur edhe tek lakra e cila me shumicë është tregtuar zakonisht në nivelin e 30 lekëve për kilogram ndërkohë që tashmë gjendet me 60 lekë/kilogrami duke arritur te konsumatori fundor me një çmim 80 lekë kilogrami.

Në nivele të larta mbeten edhe lulelakra dhe brokoli, që tregtohen mes 230-250 lekë/kilogrami por këto të fundit sigurohen në import një pjesë e mirë nga Greqia dhe janë brenda çmimeve që kanë zakonisht në periudhën janar-shkurt.

Të dhënat e inflacionit, që mat ndryshimin e një shporte bazë të mallrave të konsumit, që janë të disponueshme deri në dhjetor, tregojnë se edhe në fund të vitit të kaluar, produktet ushqimore u shtrenjtuan. Frutat i blejmë 11.3% më shumë, zarzavatet dhe patatet janë 11.7% më të shtrenjta. 3.8% më të shtrenjta ishin dhe qumështi, djathi dhe veza./Monitor

Shtuar 8.02.2022 14:29