Ngjarje e rëndë/ U gjet e vdekur në një pellg, 9-vjeçarja është mbytur nga babai i saj, si i ati tentoi të fshihte krimin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në New York, ku 9-vjeçarja Melina Galani-Fratolin, dyshohet se u vra nga babai i saj kanadez.

Pas rezultateve të autopsisë, rezultoi se vogëlushja ishte mbytur teksa baba e bijë ndodheshin me pushime në Amerikë.

Trupi i 9-vjeçares u gjet të dielën pasdite pranë një trungu, në një pellg të cekët në zonën e Ticonderogas, më pak se 24 orë pasi babai i saj, Luciano Fratolin, kontaktoi autoritetet lokale për të raportuar se e bija ishte rrëmbyer.

45-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për vrasje e fshehje kufome.

Në daljen para gjykatës, ai u deklarua i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij.

Sipas New York Post, Melina kishte folur me nënën e saj rreth një orë para vrasjes, që ka ndodhur mes orës 19:40 dhe 21:12, mbrëmjen e së shtunës.

Gruaja deklaroi se asgjë nuk i dukej e dyshimtë. Megjithatë, në orët që pasuan, ajo filloi të shqetësohej, pasi ish-burri i saj ndaloi së iu përgjigjur mesazheve të saj, kur pyeti se kur do të ktheheshin në Montreal.

E shtuna supozohej të ishte dita e fundit e pushimeve të tyre në Shtetet e Bashkuara.

Luciano Fratolin, në denoncimin për rrëmbimin e së bijës pretendoi se dy burra me një furgon të bardhë kishin marrë Melinën.

Z. Fratolin deklaroi se ishte ndaluar në një parking pranë Daljes 22 të I-87, në zonën e Liqenit George, për të urinuar. Ai fillimisht tha se ishte larguar nga automjeti i tij dhe kur u kthye, fëmija ishte zhdukur. Ai raportoi një automjet të dyshimtë të bardhë pranë vendit të ngjarjes dhe dy burra në të. Ky skenar u hetua dhe u hodh poshtë plotësisht”, u tha gazetarëve zëvendëskomisioneri, Robert McConnell, sipas Montreal Journal.

Trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare, u gjet disa orë më vonë në një trung në një pellg të cekët me ujë në skajin verior të Liqenit George, pranë qytetit të Ticonderoga, me autoritetet që deklaruan se nuk kishte prova për rrëmbim.

45-vjeçari u arrestua më pas dhe u akuzua për vrasje dhe vepra të tjera penale.