Ngjarja tragjike në Itali/ Familja shqiptare kishte 5 muaj që ishte transferuar në banesën ku humbën jetën nga helmimi me gaz

Të tjera detaje mësohen lidhur me tragjedinë në familjen shqiptare që jetonte në Porcari, pranë Luccës në Itali. Çifti Arti dhe Jonida Kola, 48 dhe 42-vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, Hadjari, 23-vjeç, dhe Xhesika, 15-vjeçe, u gjetën të pajetë në banesë dhe dyshohet se janë helmuar nga monoksidi i karbonit që ka rrjedhur nga pajisja e ngrohjes.

Familja e kishte blerë shtëpinë vetëm një vit e gjysmë më parë dhe ishte zhvendosur vetëm pesë muaj më parë.

Kryefamiljari punonte në një dyqan bojërash, ndërsa i biri punonte si elektricist.

Alarmi u dha duke telefonuar numrin e urgjencës 112, pasi dikush brenda shtëpisë raportoi se nuk ndihej mirë.

Pak pas orës 22:00, ekipet e emergjencës mbërritën dhe, me të hyrë në apartament, gjetën një skenë dramatike: trupat e katër anëtarëve të familjes ishin tashmë të pajetë.

Sipas hetimeve fillestare, rrjedhja e gazit duket të jetë aksidentale.

REAGIMI I KRYETARIT TË BASHKISË SË PORCARIT:

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme (4 shkurt) në banesën e familjes. Nga hetimet e para dyshohet se anëtarët e saj u helmuan nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një pajisje ngrohjeje.

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari shprehu tronditjen dhe hidhërimin e tij të thellë për tragjedinë.

“Mbrëmë, një tragjedi e madhe ndodhi në qytetin tonë. Një familje e tërë humbi jetën në shtëpi. Hetimi do të hedhë dritë mbi këtë çështje, por shkaku duket të jetë monoksidi i karbonit. Familja Kola, përfshirë babain Arti, nënën Jonidën dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe Xhesikë, ishin shumë të respektuar dhe të dashur nga komuniteti ynë. Jemi të gjithë të tronditur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje, e cila më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë u shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta të afërmve dhe miqve të familjes Kola për këtë humbje të rëndë që ka prekur të gjithë Porcarin”, shkroi ai.


Shtuar 5.02.2026 12:18