Ngjarja e rëndë në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj dhe 12 zyrtarët dalin sot para gjykatës

Ditën e sotme , Gjykata e Elbasanit do të zhvillojë seancën për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dënuarit përjetë Sokol Mjacaj, drejtorit të burgut të Peqinit, shefit të regjimit të brendshëm dhe personave të tjerë të arrestuar pas eliminimit në qeli të Arben Lleshit më 15 dhjetor.

Burimet nga gjykata njoftuan se; megjithëse njoftimi i masave ishte planifikuar për ditën e hënë, të akuzuarit do të dalin para gjykatës të martën në orën 10.00.

Prokurori i çështjes Xhelian Seferi, dorëzoi të dielën kërkesat për caktimin e masave arrest me burg të cilat do të shqyrtohen nga gjyqtarja Yrfet Shkreli.

Përveç autorit direkt të ngjarjes Sokol Mjacaj, prokuroria ka kërkuar burg edhe për ish-drejtorin e burgut të Peqinit Kamber Hoxha, shefin e regjimit të brendshëm të burgut, Qani Muça, si dhe 10 punonjës mes tyre edhe ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali.

Ata akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurisë në burg, që nga moskryerja e kontrolleve ndaj të dënuarit Mjacaj, i cili lëvizte prej të paktën 20 ditësh me armë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Hetimi paraprak i prokurorisë, ka gjetur se aty nuk kishin funksionuar skanerët e kontrollit në hyrje të burgut- që ishin riparuar së fundi, dhe një pjesë e kamerave të sigurisë për vëzhgimin dhe dokumentimin e ngjarjeve.

I dënuari Sokol Mjacaj, dyshohet se e vrau me porosi Arben Lleshin, për hakmarrje dhe plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqja.

Mënyra e futjes së pistoletës me mulli në burg, ka mbetur mister, megjithatë, dyshimet janë se kjo është bërë me anë të pakove të ushqimeve gjatë kohës që skanerët nuk punonin.

Kontrolli në hyrje të burgut gjatë kësaj kohe, është bërë manualisht nga punonjësit ndërsa skanerët janë vënë në punë vetëm pak ditë më parë, pasi Sokol Mjacaj kishte arritur të pajisej me armën që përdori në krim.

Viktima Arben Lleshi ishte dënuar me 32 vjet burg për ekzekutimin në Angli të Agim Hoxhës, në vitin 2012 dhe po e vuante dënimin në Shqipëri.

Pak orë para vrasjes në qeli më 15 dhjetor, ministria e drejtësisë njoftoi se Sokol Mjacaj, do izolohej sërish në sistemin 41 bis, dhe kjo dyshohet se ka përshpejtuar planet e tij.

Atë ditë ai shkoi tek dritarja e qelisë së Arben Lleshit dhe e eliminoi me armë, duke duke plagosur edhe shokun e qelisë.

Të akuzuarit

Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë në 2015

Drejtori i burgut, Kamber Hoxha 59-vjeç

Shefi i policisë së burgut Qani Muça, 60-vjeç

Ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç

Shefi i regjimit në burg Vilson Shima, 37-vjeç

Specialisti në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52-vjeç

Policë shërbimi: Ilir Balla, Florene Mile, Fatos Pire

Policë të burgut: Genci Muça, Klement Haka, Erjon Çilaj, Indrit Dubali


Shtuar 19.12.2023 08:21