Ngërçi me konstituimin në Kosovë/ Kushtetuesja: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Konstituimi i Kuvendit, duhet të permbyllet brenda 30-ditësh. Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës lonstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Gjithashtu, ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Pas shpalljes së aktgjykimit, deputetja e LDK-së, Hymete Bajrami, tha se aktgjykimin e sotëm, Kushtetuesja vërtetoi se udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka “detyruar Deharin të shkelë Kushtetutën”.

“I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë – Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, shkroi ajo në Facebook.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës.

Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit./ REL


Shtuar 8.08.2025 13:00