Nga videot në Tik-Tok te çështja e Viktor Ymerit, rrëfimi i gjyqtares Enkeleda Kapedani

Komisioni i Vetingut do të vendosë ditën e premte për fatin e gjyqtares së pezulluar të Elbasanit, Enkeleda Kapedani, e cila ishte protagoniste në media në maj të këtij vitit për shkak të publikimit të disa videoje në Tik-Tok, të realizuara në zyrë, korridoret e gjykatës dhe makinë. Për shkak të këtyre videove, KLGJ-ja e ka pezulluar gjyqtaren me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka nisur një procedim disiplinor. Zonja Kapedani u paraqit e vetme ditën e djeshme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për t’u njohur me rezultatin e verifikimit.

Nga prezantimi i dosjes, Enkeleda Kapedani rezultoi pa probleme serioze sa i takon pasurisë. Pasuria e gjyqtares Kapedani rezultoi në vlerën 90 mijë USD. Gjyqtarja ka në shtëpi me vlerë 50 mijë euro të blerë me kredi.

Për këtë pasuri në dosje thuhet se “Subjekti është pronare e vetme e apartamentit. Subjekti ka shpjeguar se babai i  saj ka punuar në Greqi dhe ka patur mundësi financiare. KPK ka kryer hetimin dhe ka rezultuar se familja e saj ka të ardhura për të justifikuar këtë pasuri të blerë para fitimit të statusit të magjistratit”.

Trupa gjykuese i kërkoi gjyqtares llogari për përdorimin e një makine, të cilën nuk e kishte deklaruar si dhe për blerjen e një mjeti tip kamion nga bashkëjetuesi i saj në vlerën e 9.5 mijë USD, duke e shitur 32 mijë euro.

Relatorja Brunilda Bekteshin tha se transaksioni dukej i dyshimtë për shkak të diferencës së së çmimit të blerjes me atë të shitjes, ndonëse tatimet kishin dorëzuar dokumentacion që konfirmon pagesën e detyrimeve tatimore për fitimin e krijuar nga shitja e kamionit. Kapedani dha dy shpjegime. Së pari, gjyqtarja solli në vëmendje një vendim të KPK, ku konkludohej se shitja e makinave në tregun e lirë është një aktivitet mjaft fitimprurës dhe çmimi ishte dakordësuar me vullnet të lirë. Së dyti, ajo tha se të ardhurat e përfituara nuk ishin përdorur për krijimin e asnjë pasurie, duke shtuar se kjo rrëzon dyshimet për pastrim parash.

Sa i takon mjetit, gjyqtarja tha se nuk ishte e saj, ndërsa shtoi se kishte provuar burimin e ligjshëm të pronarëve për blerjen e mjetit në vitin 2009, që ishin daja dhe djali i tij.

Çështja e Viktor Ymerit

Nga vlerësimi i dosjeve nga KLGJ-ja dhe KPK-ja sa i takon aftësive profesionale, Enkeleda Kapedani rezultoi pa probleme. Megjithatë, trupi gjykues e pyeti gjyqtaren për çështjen e lirimit nga burgu të Viktor Ymerit, i dënuar më burgim të përjetshëm për vrasjen në Durrës të Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, shokë të Lul Berishës.

Në nëntor të 2018, Gjykata e Apelit të Durrësit projektoi lirimin nga burgu të Viktor Ymerit, duke i hequr dënimin e përjetshëm dhe dënuar me 25 vite burg. Për shkak të uljeve të dënimit, atij i kishin mbetur më pas edhe 1 muaj e 23 ditë burg, kur u lirua nga Enkelejda Kapedani.

E pyetur nga trupi gjykues, gjyqtarja Kapedani dha këtë shpjegim “Në lidhje me çështjen Viktor Ymeri më keni drejtuar tre pyetje. Dua t’ju sqaroj njëherë e mirë, duke qenë se kjo çështje po më përndjek. Nuk është e vërtetë, unë nuk kam liruar asnjë të dënuar të përjetshëm. Këtij shtetasi ja ka ndryshuar dënimin e përjetshëm Gjykata e Apelit të Durrësit që ja ktheu në 25 vjet burgim. Kur këtë çështje erdhi tek Enkeleda Kapedani, nga provat që sollën në gjykatë, atij i kishin mbetur vetëm 1 muaj e 23 ditë. I kishte mbetur dënim për 1 muaj e 23 ditë. Çfarë fitimi do të kishte?”, sqaroi ajo.

Në fund të seancës, trupa gjykuese u ndal tek videot e Tik-Tok-ut. Komisioni i Vetingut e pyeti gjyqtaren nëse përdorimi i institucionit për regjistrimin e videove mund të cenonte etikën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Gjyqtarja tha se kjo çështje po shqyrtohet nga KLGJ-ja, duke shtuar se nuk mund të gjykohej dy herë. Megjithatë, Kapedani dha një sqarim për anën subjektive sa i takon videove.

“Duke iu referuar një vendimi të KPA-së për një gjyqtare të Apelit, e cila prej një viti nuk paraqitet në detyre, KPA vlerëson se çështjet e etikës i takojnë KLGJ-së dhe jo Vetingut. Nga viti 2017 e në vijim është kompetencë e KLGJ-së. ILD ka kërkuar pezullim dhe KLGJ është shprehur se nuk jemi përpara rastit kur gjyqtari ka lënur rëndë figurën e gjyqtarit dhe i ka kthyer pas dosjen ILD ta plotësojë. Kërkoj nga ana juaj që sa kohë unë jam e proceduar nga KLGJ dhe kam një masë, s’mund të merret në konsideratë. Më lejoni të flas edhe për anën subjektive. Është fakt që jam një gjyqtare profesioniste, nuk çaloj profesionalisht. Dua t’ju them që persona të pakënaqur nga puna ime u kapën pas jetës sime personale. Në një hark të shkurtër, jeta ime profesionale mori goditje shumë të fortë. Ajo për të cilën punova më përkushtim gjithë jetën, m’u kthye kundër. Shpreh bindjen se veshja dhe preferencat muzikore nuk kanë ndikuar në detyrën time dhe ushtrimin e saj me integritet, dinjitet dhe bazuar në ligj. Jam një gjyqtare që nuk bëj kompromis, këta të pakënaqur përdoren jetën time personale dhe ngritën dyshime mbi atë që unë përfaqësoj. Mundi dhe sakrifica, papritur u gjenda përballë një gjyqi popullor me pasoja shumë të rënda për shëndetin tim, karrierën dhe familjen time. Kam vetëm një kërkesë, ju lutem mos më gjykoni për veshjen dhe muzikën. Kam dhënë prova se jam një gjyqtare e patrembur dhe shërbëtore e ligjit. Fatkeqësisht më ndodhi të jetoj në një shoqëri, ku imorali bën moral”./Shqiptarja.com/


Shtuar 16.11.2021 16:13