Nga Jona Plumbi, Faktoje.al
Refreni i këngës së vjetër ballkanike mbi “Shqipërinë e Madhe” përsëritet thuajse çdo vit, në varësi të dinamikave të politikës ndërkombëtare dhe rajonale duke shënuar një trajektore të gjatë me ulje ngritje. Nga sporti tek festivalet e muzikës dhe deri tek tryezat e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara, “Shqipëria e Madhe” u kthye edhe këtë vit në “tabelën e qitjes” për disa vende, secili për arsyet e veta. Por sipas ekspertëve në asnjë rast kjo narrativë nuk lidhet me një kërcënim real shqiptar.
Narrativa e “Shqipërisë së Madhe”
Përmendja që kumboi më fort nga të tjerat ishte ajo e 23 Tetorit kur Vasili Nebenzia, përfaqësues i përhershëm i Rusisë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, akuzoi Prishtinën se po nxit “ambicien e Kurtit për Shqipërinë e Madhe”, “po mundohet të destabilizojë zonat e populluara nga muslimanë në Serbi dhe po nxit ndjenja centrifugale në Maqedoni”.
Mungesën e ekzistencës së një “ideje” e aq më pak “kërcënimi” të “Shqipërisë së Madhe”, pedagogu Ermal Hasimja e argumenton në tre aspekte të ndryshme. I pari, ai historik.
“Pothuajse të gjithë popujt e Ballkanit kanë nga një ide të një shteti më të madh kombëtar që supozohet se do të përfshinte të gjithë etninë ose territoret e veta, të së tashmes apo të shkuarës, reale apo të supozuara, pakicë ose shumicë. Shqiptarët nuk bëjnë përjashtim.”
Një tjetër faktor që tregon inekzistencën e këtij projekti është mungesa e impaktit në politikat shtetërore të thirrjeve për “Shqipërinë Etnike”, që në fund të fundit mbetet në stadiume, pa asnjë ndikim në opinionin e gjerë publik.
“Në aspektin ekonomik Shqipëria dhe Kosova nuk kanë me njëra-tjetrën ndonjë bashkëpunim më të madh sesa ai që kanë me vende të tjera të rajonit. Marrëdhëniet mes udhëheqësve shqiptarë gjatë gjithë 3 dhjetëvjeçarëve të fundit janë karakterizuar nga konflikte të përmbajtura, por të dukshme, njësoj si ai sot mes Ramës e Kurtit.” – argumenton Hasimja duke theksuar edhe treguesin tjetër.
“Sondazhet nuk kanë mundur të konfirmojnë ndonjëherë ndonjë vullnet mbizotërues apo imponues të shqiptarëve për bashkim të shteteve shqiptare e jo më vullnet për të realizuar ndonjë “Shqipëri të Madhe” që supozohet se do të përfshinte territore të banuara nga shqiptarë përpara luftërave ballkanike të mbi një shekulli më parë.”
Pavarësisht fakteve, narrativa mbi Shqipërinë e Madhe i reziston viteve.
Qëllimi i Rusisë
Shqipëria e Madhe është fantazma që përpiqen të ndërtojnë qarqet nacionaliste serbe ose përfaqësues të Rusisë, në vlerësimin e pedagogut dhe studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Ermal Hasimja.
Shqipëria e Madhe mbahet gjallë për t’u përdorur si “shkop” për të goditur Perëndimin, argumenton ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.
“Rusia dhe Serbia e përmendin gjithmonë Shqipërinë e Madhe, sepse kërkojnë të fajësojnë komunitetin ndërkombëtar që përkrahja ndaj Kosovës në 1999 nuk ishte parimore dhe humanitare, por një projekt perëndimor në dëm të interesit të popujve sllavë të Ballkanit.”
Përmendja e Shqipërisë së Madhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Rusia nuk është aspak naive, sqaron Hasimja.
“Akuzat fshehin, pa shumë kujdes, synimet ruse për të destalibizuar Ballkanin dhe për të hapur fronte të reja angazhimi për vëmendjen e aleatëve euroatlantikë. Rasti i situatës aktuale në Palestinë tregoi qartë sesi një krizë e re mund të tërheqë vëmendjen nga lufta në Ukrainë.”
Ish-diplomati Nesho tregon se një mënyrë për të destabilizuar rajonin është edhe rikthimi i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Qëllimi i sotëm i Rusisë është të kthejë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit ku duke kthyer rezoluën 1244 të KS të përpiqet të influencojë në një zgjidhje tjetër kompromisi, duke i dhënë diçka Serbisë. Kjo lëvizje politike mund të përdoret më pas si precendet për territoret e pushturara të Rusisë në Ukrainë.”
“Shqipëria e Madhe” në Serbi
Sa i përket Serbisë, përdorimi i narrativës mbi “Shqipërinë e Madhe” merr forma dhe qëllime të ndryshme.
Nikola Petroviç, drejtues i ISAC Fund Serbia identifikon katër forma kryesore të kësaj narrative. Një ndër to dhe më e përhapura është përdorimi i “Shqipërisë së Madhe” nga elitat politike dhe zgjatimet e tyre mediatike për të diskretituar politikanë nga Kosova.
“Kohët e fundit është përdorur nga Vuçiç për të diskretituar Kurtin, duke e kthyer edhe në narrativë të përgjithshme që Kurtit nuk i intereson Kosova aq sa i intereson krijimi i Shqipërisë së Madhe.” – argumenton Petroviç duke shpjeguar se kjo është narrativa më e përhapur në Serbi, madje duke u përsëritur edhe nga politikanë të ekstremit të djathtë si sulm ndaj Vuçiçit që e ka ‘toleruar’ krijimin e saj sipas tyre.
Një tjetër formë në të cilën shfaqet narrativa e Shqipërisë së Madhe është kur ka bashkëpunim ndërmjet politikanëve nga Shqipëria dhe shteteve të tjera ballkanike ku shqiptarët kanë përfaqësim politik.
Kjo narrativë përdoret gjerësisht edhe nga historianët anti-perëndimorë apo “ekspertë” të tjerë kur diskutojnë për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, si dhe në ngjarje sportive ku shfaqen simbole të Shqipërisë së Madhe, apo kur bëhet shenja e shqiponjës dykrenore.
Kjo narrativë – shpjegon Nikola Petroviç – sado jo realiste që është, përdoret për të prezantuar shqiptarët si faktor destabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Ajo rikthehet në vëmendje kur përdoret nga elita e politikës, por në të vërtetë nuk mendoj se ideja e “Shqipërisë së madhe” konsiderohet si kërcënim serioz nga pjesa më e madhe e popullsisë” – përmbyll eksperti nga Serbia, Petroviç.
Një tjetër tezë për përdorimin e kësaj narrative nga Serbia është ajo që përmend pedagogu Ermal Hasimja, sipas të cilit ‘Serbisë këto akuza mund t’i shërbejnë më së shumti për të barazpeshuar nacionalizmin e brendshëm me kundërfigurën e një armiku të jashtëm’.
Maqedonia e Veriut
Kjo deklaratë e përsëritur, që ka Serbinë si altoparlantin e saj rajonal, gjatë gjysmës së dytë të këtij viti u dëgjua shpesh edhe në Maqedoninë e Veriut. Si katalizator u përdor vizita e Albin Kurtit në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni.
Siç u tregua në rastin e vizitës së Albin Kurtit në Tetovë dhe Çair, narrativa e Shqipërisë së Madhe përdoret si instrument i politikës së brendshme në Maqedoninë e Veriut më shumë sesa si qëndrim ndaj Albin Kurtit apo aq më pak Shqipërisë.
Filip Stojanovski, pjesë e fondacionit Metamorphosis e konfirmon kët ë gjetje duke theksuar se “janë partitë politike lokale pro-ruse si Maqedonia e Bashkuar (e modeluar sipas Rusisë së Bashkuar të Putinit) që përdorin aspekte të kësaj narrative për të rihapur plagë nga konflikti i armatosur i vitit 2001”.
“Levica, një tjetër parti e hapur pro-Kremlinit e cila ka 2 deputetë, gjithashtu promovon një version të kësaj teorie konspirative për “shqiprimin”, veçanërisht përpara zgjedhjeve të ardhshme në 2024.”
Pavarësisht se politikanët kryesorë shqiptarë e kanë hedhur postë koncepti e “Shqipërisë së Madhe” duke theksuar integrimin në BE për të kapërcyer problemet e kufijve, ngjarje të caktuara përdoren për të ngjallur provokime dhe ringujalljen e kësaj narrative, argumenton Stojanovski.
“Shembujt variojnë nga incidenti me dron i vitit 2014 në Beograd, te teoritë e konspiracionit për takimet e politikanëve shqiptarë të vitit 2016 në Tiranë, tek vizita e kryeministrit të Kosovës Kurti në vitin 2023 në Tetovë dhe hapja e Muzeut të UÇK-së pranë Kumanovës.”
Një dëshmi e ndikimit që ka kjo narrative sipas Stojanovksit është mënyra se si ajo modifikohet për t’ju përshtatur konteksteve të ndryshme, përfshi edhe përdorimin e shakave jo të përshtatshme si mjet për të përçuar dizinformim, si rasti i ndalimit të supozuar të filmit Barbie në serbi për shkak të përdorimit të hartës së Shqipërisë së Madhe. EUvs.Disinfo vëren se këto taktika të keqpërdorimit të humorit, të quajtura “hahaganda” janë gjithashtu pjesë kyçe e narrativave pro-Kremlin.
Përfundim
Narrativa e “Shqipërisë së Madhe” përdoret në mënyrë të vazhdueshme, herë si mjet për të goditur politika apo individë të caktuar dhe herë si argument për një rrezik të mundshëm. Por pavarësisht ngritjes së kësaj narrative nga Serbia dhe madje edhe dhënies zë të saj nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për ekspertët situata është e qartë.
Koncepti i një “Shqipërie Etnike” ose “Shqipërie të Madhe” është pjesë e folklorit po aq sa këngët apo legjendat e tjera ballkanike. – vlerëson pedagogu Ermal Hasimja. “Shqipëria e Madhe” është përdorur për politikë të brendshme në Serbi, madje edhe në Maqedoninë e Veriut. Ajo është përdorur si mjet qortues për politikanë të Kosovës apo për vetë Perëndimin, siç shpjegon diplomati Agim Nesho.
Ekpsertët vlerësojnë se koncepti i “Shqipërisë së Madhe” nuk u kthye asnjëherë në strategji e aq më pak në plan të mirëfilltë, duke mbetur në rrafshin e narrativave. /Faktoje.al