Nga sot mbyllen sportelet, si do të merren shërbimet e administratës

Duke nisur nga dita e sotme mbi 95% e shërbimeve publike të ofruara nga shteti, do të ofrohen online në ‘e-Albania’.

Lajmin e bëri të ditur më herët vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se është tërësisht e panevojshme që të shpenzohen miliona euro, në letra dhe bojë, për certifikatat fizike.

Kryeministri tha se mbyllja e këtyre sporteleve synon shmangien e rryshfetit dhe vonesave në marrjen e shërbimit nga ana e qytetarëve.

Rama tha se është i vetëdijshëm që në fillim, qytetarët do të kenë disi vështirësi në shkëputjen nga shërbimi në sportele.

“Për cilën arsye në botë, ministria e brendshme kanë shpenzuar 1.5 milionë certifikata fizike, të paktën prej 4 vitesh, nuk ka pasur më nevojë që të harxhohet një pikë boje, dhe letër që të printohen certifikatat.

Në 30 Prill nuk do të ketë më sportele, edhe pse në fillim do të ketë ngërçe, do të ketë njerëz që nuk do të dinë ku të aplikojnë, por nevoja do ti bëjë të mësojnë.

I kam kërkuar në një mbledhje përgatitore, ministrisë së brendshme që të marrë të gjithë printerat dhe letrat nga gjendja civile, pasi janë para qoftë për shtetin, qoftë për njerëzit.

Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm për letra, është e padrejtë që njerëzve të vazhdohet t’ju jepet certifikata letre, çdokush e merr certifikatën pa dalë fare nga shtëpia, mjafton të zgjasë dorën te tavolina dhe të marrë telefonin.

Të gjitha janë këtu, ske pse të shkosh dhe atje të famëkeqja hipotekë”- është shprehur më herët Rama.

Gjithashtu prej disa ditësh në celularët e qytetarëve ka mbërritur një mesazh që i informon mbi këtë vendim të qeverisë.

“Nga data 1 Maj sportelet do të mbyllen. Shërbimet e dokumenteve vetëm në e-albania. Më shpejt, pa radhë, pa orar. 24 orë pa pushim në shërbimin tuaj. Shqipëria e para në rajon për shërbimet digjitale pa korrupsion”, thuhet në mesazhin elektronik e nisur nga kryeministria.