Nga skandali “Balluku”, te ndryshimet në qeveri/ Ish-ministri Sandër Lleshaj: Zgjidhja është dorëheqja

Në një bisedë për News24, ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te akuzat e SPAK për ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ai tha se zgjidhje e këtij ngërçi të thellë politik, janë dorëheqjet. Lleshaj u ndal te dorëheqja e tij, duke shtuar se vendimi i tij u quajt absurd asokohe.

“Nuk i kam ndjekur me intensitet të lartë këto zhvillime dhe ndryshimet e fundit që kanë ndodhur. Por koha për ndryshim ka ardhur. E vetmja që humbet nga kjo zhurmë, janë vetë Shqipëria dhe shqiptarët. Do të duhet të ishin gjetur rrugë për të dalë nga kjo situatë ngërçi. Janë pleksur disa gjëra. Ndaj gjëja më e mirë është rruga politike. Ajo i zgjidh më mirë. Dorëheqja është mekanizëm i artë për të dalë nga ngërçi. E kam provuar vetë këtë. E di ccdo të thotë. Është akt përgjegjësie, që t’i hapet rrugë një situatë të re. Përmes dorëheqjeve duhet të arrihet kapërcimi i situatës, që i rëndon vendit kot. Dhe të merresh me këto gjëra që prodhojnë kosto, është e padobishme. E kam dhënë vetë dorëheqjen, e kam deklaruar që atëherë. Po të ma kishte kërkuar njeri, s’do e kisha dhënë. Se di nëse zonja Balluku ka qenë nën presion, atëherë nuk quhet i tillë. Dorëheqjet duhen respektuar, jo bllokuar. Nuk e di se çfarë rrethanash ka pasur që Rama nuk e ka pranuar Ballukun”, tha Lleshaj.

Duke u pyetur për faktin nëse po mbrohet Balluku politikisht nga Rama, ai tha; “Kjo është punë preferencash individuale, për mbrojtjen e familjes apo jo. Partitë politike i mbrojnë anëtarët e tyre. Secili në këto situata, nëse Balluku duhet të japë apo jo dorëheqje, është përgjegjësi e vet. Dorëheqja është një mesazh për të thënë se nuk je i lidhur me atë ‘djall’ karrigeje ku je ulur. E rekomandoj dorëheqjen edhe si përgjigje të parë, jo të dytë”.

 


Shtuar 5.03.2026 15:30