Nicolás Maduro, erdhi në pushtet si pasues i Hugo Chávezit pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 2013, duke fituar ngushtë zgjedhjet presidenciale – rezultat i kundërshtuar nga opozita.
Aleat i hershëm i Chávezit, Maduro trashëgoi pushtetin, por jo karizmën dhe mbështetjen popullore të paraardhësit të tij.
Ish-shofer autobusi dhe drejtues sindikate, ai u përball gjatë qeverisjes me kriza të thella politike dhe ekonomike, protesta masive, keqmenaxhim të industrisë së naftës dhe sanksione të ashpra ndërkombëtare, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2017, Maduro zgjeroi kompetencat e presidencës, duke anashkaluar Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, çka shkaktoi protesta të dhunshme.
Një vit më pas, ai fitoi një mandat të dytë në zgjedhje të denoncuara si të parregullta nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar.
Akuzat për mashtrim zgjedhor dhe përfshirje në aktivitete kriminale janë përsëritur edhe vitet e fundit, ndërsa presioni amerikan është rritur.
Në këtë klimë tensioni, e ardhmja politike e Venezuelës mbetet e pasigurt.

