Nga shkëmbimi i letrave, tek stërvitja dhe mostakimi me Kryemadhin/ Zbardhen kerkësat e Metës në burg

Ish-presidenti i vendit Ilir Meta, është në paraburgim te 313 në Tiranë. Për shkak të pozicioneve të rëndësishme që ka mbajtur në drejtimin e vendit, si president, kryeminister, kryeparlamentar dhe disa herë ministër, Meta tashmë nën arrest nën dyshimet për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash, është duke qëndruar në një sektor të burgut nën masa të posaçme sigurie.

Për të është parashikuar një plan i detajuar për të shmangur çdo incident për jetën e ish-kreut të shtetit. Përgjatë këtyre ditëve të qëndrimit, dy prej të cilave në qelinë e observimit, Meta ka kërkuar të lejohet për të dalë në ambientin sportiv që të ushtrohet në stërvitje.

Po ashtu, ka kërkuar letra dhe stilolaps, me qëllim që të komunikojë mesa duket për çështje të rëndësishme me djalin e tij Besarin dhe të besuarit e tij në Parti.

Mësohet se ka qenë avokati i tij, Genc Gjokutaj, që ka zhvilluar takime me ish-presidentin dhe ka shkëmbyer letrat. Ai ka dërguar letra nga i biri dhe prej andej ka nxjerrë letrat e Ilir Metës. Edhe pse përmbajtjet e letrave mbahen tejet sekret, mesa duket ish-presidenti ka vendosur të komunikojë në këtë mënyrë, për çështje të rëndësishme që lidhen me akuzat, strategjinë e mbrojtjes, por edhe mënyrën sesi do të drejtohet Partia e Lirisë, gjatë kohës që ai do të jetë në paraburgim.

Veç Gjokutajt, takim me Ilir Metën ka marrë dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili sipas procedurës ka komunikuar me të, nëse kishte ndonjë kërkesë apo shqetësim lidhur me qendrimin në qeli. Burimet thanë se Meta nuk ka shfaqur asnjë shqetësim.

Javën e ardhshme SPAK do të firmosë lejen që Ilir Meta, të zhvillojë takime me familjarët. Fakt është që kurrsesi ish-presidenti nuk do të pranojë takime me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila po ashtu është nën hetim dhe nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.


Shtuar 28.10.2024 13:00