Seria e atentateve që prej vitit 1999 e deri më sot, tregon një realitet të hidhur, as figurat e drejtësisë në Shqipëri, nuk kanë qenë të mbrojtura përballë krimit!
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, që tronditi opinionin publik, është një dëshmi e dhimbshme e kësaj situate alarmante.
Me një hulumtim të thjeshtë të 26 viteve të fundit, kupton se shumë nga këto krime ende nuk janë zbardhur…
19 shkurt 1999 – Vrasja makabre e Kozeta Hysenit
Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi në Qytetin Studenti, ku u gjet e masakruar 21-vjeçarja Kozeta Hyseni, vajza e prokurorit të Vlorës, Luftar Hyseni. Një mbrëmje më parë, një vajzë e kishte njoftuar se dikush e kërkonte poshtë godinës ku banonte. Pas daljes nga dhoma, Kozeta nuk u kthye më.
Trupi i saj u gjet të nesërmen në mëngjes, i goditur barbarisht me gurë në kokë. Ngjarja nuk u zbardh kurrë dhe ende nuk dihet nëse ka lidhje me detyrën e babait të saj.
21 shkurt 1999 – Ekzekutohet Kleanthi Koçi
Vetëm dy ditë pas vrasjes së Kozetës, atentati i radhës goditi “zemrën” e drejtësisë. Kleanthi Koçi, një figurë me autoritet në jurisprudencën shqiptare, u vra me tre plumba në qendër të Tiranës, pranë 15-katëshit. Një person iu afrua, i tha diçka dhe e qëlloi për vdekje. As ky krim nuk u zbardh kurrë.
30 shtator 2003 – Ekzekutohet shoferi i kryeprokurorit
Mbrëmjen e 30 shtatorit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u ekzekutua oficeri i Gardës Genci Sina, i cili shoqëronte familjen e Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku. Një taksi iu afrua makinës që drejtonte Sina dhe një atentator qëlloi disa herë me pistoletë me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht, bashkëshortja dhe vajza e prokurorit, që ndodheshin në makinë, shpëtuan pa lëndime.
9 shtator 2011 – Vritet gjyqtari Skerdilajd Konomi
Pas gati një dekade, krimi mafioz goditi sërish. Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Vlorë, humbi jetën nga një atentat me tritol të vendosur në makinën e tij. Serial-killeri me pagesë, Julian Sinanaj, dëshmoi se porosia kishte ardhur nga Durrësi dhe lidhej me konfliktet e pronësisë në zona bregdetare. Pavarësisht të dhënave të forta, dosja e vrasjes mbeti pa përfundim.
22 mars 2019 – Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra
Në qendër të Elbasanit, ndërsa po pinte kafe në një lokal, avokati Ravik Gurra, i njohur si përfaqësues ligjor i fisit Çapja, u qëllua me silenciator në kokë. Atentatori u largua me shpejtësi me ndihmën e një bashkëpunëtori. Edhe ky krim vazhdon të mbetet i pazbardhur.
1 nëntor 2019 – Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja
Një breshëri automatiku u shkreh ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja pranë mbikalimit të Shkozetit. Ai udhëtonte me dy persona, Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe shoferin e tij Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vrarë, ndërsa Ndoja u plagos. Ngjarja ngriti shumë pikëpyetje mbi lidhjet e errëta mes krimit dhe politikës, por ende nuk është dhënë një verdikt final.
6 tetor 2025 – Vritet në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja
Ngjarja më e fundit ka përmasa akoma më të rënda, plumbat u lëshuan brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë. Gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri pasi dha një vendim, pa e ditur se ky i fundit do t’i kushtonte jetën.