Nga Andreas Kluth “Bloomberg”
Evropianët do të zhvillohet këtë javë në kryeqytetin çek Pragë, më saktë brenda territorit të kështjellës ku dikur nisi Lufta Tridhjetëvjeçare. 44 udhëheqës kombëtarë, duke përfshirë miq dhe armiq midis tyre, do të marrin pjesë takimin inaugurues të së ashtuquajturit Komuniteti Politik Evropian.
Se çfarë do të bëhet saktësisht ky institucion, kjo mbetet të shihet. Por ideja fillestare është t’i kujtohet shumicës së evropianëve (Rusia dhe Bjellorusia nuk janë të ftuar) se ata ndajnë diçka më të lartë sesa vetëm një gjeografi të përbashkët, pra disa ideale dhe një fat të përbashkët.
Në çdo rast ky është vizioni i shpalosur pak kohë më parë nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai mbërriti tek ky projekt, i bindur se të gjitha strukturat e tjera evropiane kanë shumë të meta dhe nuk mund ta ndihmojnë dot një kontinent të përçarë nga lufta, mosmarrëveshjet kufitare dhe kriza të ndryshme në energjitikë, migracion dhe ekonomi.
Dhe në këtë aspekt, Macron ka të drejtë. Edhe vetëm hartimi i një liste me gjithë ato institucione të bën konfuz. Lista nis me organe të tilla si Këshilli i Evropës (nuk ka lidhje fare me Këshillin Evropian) dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (që përfshin edhe vende jo-evropiane si dhe Rusinë, luftën-nxitësen më të madhe të kontinentit).
Në krye është Bashkimi Evropian. I menduar si projekti më i madh i paqes në histori, BE supozohet në teori të integrojë gradualisht shtetet e saj anëtare – aktualisht 27 – në një konfederatë të madhe të quajtur Shtetet e Bashkuara të Evropës. Macron është i ndërgjegjshëm se asnjë nga këto grupime nuk është mjaftueshëm fleksibël apo i fortë për të zgjidhur problemet më të mëdha të Evropës.
Për shembull, BE-ja është kaq komplekse në rrafshin institucional, saqë është e vështirë të numërosh sesa presidentë ka (ndoshta rreth 10). Në fushat e politikave si tregtia, ajo mund të jetë një superfuqi. Por në shumicën e të tjerave – veçanërisht në mbrojtje – është një xhuxhmaxhuxh.
Të metat e tij strukturore janë të shumta. BE-ja nuk mund të dëbojë anëtarët që shkelin parimet e unionit (si për shembull Hungaria), por ajo është e padobishme kur një vend dëshiron të largohet vullnetarisht (si Britania e Madhe). Për shumë çështje të rëndësishme, çdo anëtar problematik mund të vërë veton ndaj të gjitha vendimeve.
Për të tjerat, traktatet e BE-së janë të paqarta. Ato përmbajnë një klauzolë të mbrojtjes reciproke, tek e cila nuk bazohet askush. Është kjo arsyeja pse të gjitha vendet e BE-së përveç 6 vendeve janë gjithashtu anëtare të NATO-s. Një tjetër mangësi e BE-së është se ajo përjashton shumë vende evropiane.
Turqia u bë zyrtarisht kandidate për anëtarësim që në vitin 1999. Por ajo ka hequr dorë prej vitesh nga çdo lloj shprese për t’iu bashkuar një ditë unionit. Disa vende të Ballkanit kanë frikë se do të pësojnë të njëjtin fat. Ç’është më e keqja nga këndvështrimi i tyre, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia – të cilat BE-ja dëshiron t’i mbështesë kundër kërcënimeve nga Rusia – mund t’ia kalojnë Ballkanit në procesin e anëtarësimit.
Me sa duket Macron shpreson që një ditë Komuniteti Politik Evropian, do të bëjë më mirë se të tjerët. Teksa po themelohet si një institucion “me rregulla të buta”, ai mund të shndërrohet në një klub në të cilin anëtarët mund të hyjnë dhe të largohen, por jo të pengojnë funksionimin apo ta sabotojnë atë.
Po ashtu, ky organ mund të sigurojë gjithashtu një skenë kontinentale për britanikët, turqit, zviceranët, shqiptarët, gjeorgjianët dhe të gjithë të tjerët që nuk mund ose nuk do të anëtarësohen dot në BE. Që tani është vendosur që mbledhja e radhës e Komunitetit të zhvillohet në Moldavi.
Por sado të mira të jenë synimet e Macron, Evropa nuk do të pushojë së qeni e tillë vetëm sepse po pajiset me një institucion tjetër. Një vend i përfaqësuar në samitin e Pragës, Ukraina, po lufton për ekzistencën e vet kundër një pushtuesi evropian. Dy vende të tjera, Armenia dhe Azerbajxhani, ishin në luftë kundër njërit-tjetrit jo më larg se muaji i kaluar.
Dy të tjera akoma, Turqia dhe Greqia, mund të jenë në çdo moment në luftë midis tyre, ndoshta me përfshirjen e një vendit të tretë, Qipro. Maqedonasit, shqiptarët, boshnjakët dhe ballkanasit e tjerë, dyshojnë se Komuniteti Politik Evropian është thjesht “çmimi ngushëllues” që u ofron Marcon, në kushtet kur askush nuk ka ndërmend që t’i lejojë ata të hyjnë në BE.
Ndërkohë një tjetër pjesëmarrëse në samit, Serbia, mohon ekzistencën e një shteti tjetër pjesëmarrës në këtë takim, Kosovës. Për të gjitha këto arsye, është e lehtë të tallesh me këtë simpozium kontinental, me megalomaninë e Macron, dhe me propozimin e vazhdueshëm të strukturave dhe dokumenteve të reja strategjike, teksa evropianët janë po aq të përçarë sa kanë qenë gjithmonë.
Një pikëpamje disi më dashamirëse është se Macron dhe udhëheqës të tjerë evropianë po refuzojnë – edhe në një kohë kur një evropian tjetër, presidenti rus Putin, po kërcënon të tjerët me luftë bërthamore – të heqin dorë nga ëndrra e tyre për paqen, sigurinë dhe harmoninë kontinentale.
Samiti i kësaj jave nuk do të jetë një tjetër Paqe e Vestfalisë apo Kongres i Vjenës. Ai nuk do të zgjidhë problemet e kontinentit, nuk do të bashkojë të përçarët, dhe as nuk do të zbusë luftë-nxitësit. Gjithsesi ai meriton vëmendje dhe mbështetje. Në kohëra si këto që po jetojmë, është shumë më mirë të mblidhesh në paqe, sesa të mos mblidhesh fare./abcnews.al