Detaje të reja janë mësuar nga operacioni “Flakët e Detit”, i finalizuar mes 14 dhe 15 gushtit nga policia shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe DEA-n amerikane.
Dyshohet se nga Lugina e Patokut të jetë nisur mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Në sallën e gjyqit për caktimin e masave të sigurimit për 6 të arrestuarit, prokurori i çështjes Vladimir Mara ka pretenduar se hashashi do të shkëmbehej me të njëjtën vlerë parash me heroinë dhe kokainë.
Hetuesit kanë dyshime se veliera e cila u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det është nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal i Zi dhe më pas në ujërat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë do të bëhej shkëmbimi i drogës. 4 shqiptarët e arrestuar dhe 2 ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë.
Ata kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. Mësohet se SPAK do kërkojë informacion në Turqi, Greqi dhe Mal të Zi për velierën me emrin “Nilua” në mënyrë që të zbulojë edhe personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë çështje.
Gjatë operacioni policia dhe SPAK kanë sekuestruar dy pistoleta me fishekë, rreth 45 mijë euro dhe 28 kg kanabis që u hodh në det nga të dyshuarit.
Kush janë të arrestuarit
Në kuadër të operacionit të koduar “Flakët e detit” ranë në pranga:
Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;
Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;
Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;
Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;
Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;
Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
/Albeu.com/