Mes shumë neneve të propozuara, në draftin e kodit të ri penal që pritet të diskutohet, është edhe Neni 745 që parashikon deri në 16 vite burg për bashkëjetesë me të mitur, deri 10 vite burg edhe prindërit që e lejojnë apo e nxisin atë.
Sipas nenit, bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16-vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet.
Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18-vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vite.
Me Kodin e ri Penal, lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me burgim deri në 3 vjet, sipas nenit 742 të draftit.
Ndërsa në rast se personi vazhdon të jetojë në bigami edhe pas një dënimi të mëparshëm, atëherë dënimi ashpërsohet dhe parashikohet burgim nga 6 muaj deri në 4 vite.
Kodi i ri penal parashikon denim edhe për ata që keqpërdorin imazhin e një personi tjetër, për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale apo çdo faqe tjetër.
Kjo vepër do dënohet me gjobë deri në 3 vite burgim. Për këto raste, ndjekja penale fillon vetëm kur bën denoncim viktima ose avokati, dhe pushohet kur heq dorë pala e dëmtuar.
Po kështu, dy nene të Kodit të ri penal parashikojnë masa të rrepta ndëshkuese që lidhen me sigurinë rrugore dhe abuzimet në tregun e punës.
Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik të mjeteve motorike ose kryerja e tyre në kundërshtim me ligjin, kur krijojnë rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve gjatë qarkullimit rrugor apo ndotin ajrin, ujërat ose tokën, do të konsiderohen kundërvajtje penale dhe do të dënohen me gjobë ose burgim deri në 2 vjet.
Ndërkohë, Neni 662 ndalon rekrutimin me mashtrim ose dredhi të krahut të punës. Sipas këtij neni, çdo person apo kompani që ofron kushte pune të rreme për të tërhequr punonjës ose për t’i larguar ata nga puna aktuale, kryen kundërvajtje penale dhe rrezikon gjobë ose burgim deri në 45 ditë.
Në nenin 307 parashikohet si vepër penale edhe pranimi i dhuratave. Pra pranimi nga zyrtari publik, i çdo lloj dhurate, për vete ose për persona të tjerë, dhënë atij për shkak të ushtrimit të funksionit të tij publik, kur ajo mbahet e padeklaruar me qëllim për ta përvetësuar për vete, dënohet me gjobë ose me burgim nga tre muaj deri në tre vjet, ndërsa neni pasardhës flet për pasurimin e paligjshëm. Sipas nenit 308
Pasurimi i paligjshëm, nëpërmjet shtimit domethënës, të rëndësishëm e të pajustifikuar te saj, e cila kapercen mundesine per t`u siguruar me te ardhurat e ligjshme te deklaruara nga zyrtari publik, dënohet me burgim nga 2 deri ne 7 vite.
Kodi i ri Penal, para se të hyjë në fuqi, do të marrë edhe aprovimin e Bashkimit Europian.
Kodi i ri Penal, nëse do të mbetet i tillë pas konsultimit publik, do të jetë me 952 nene, gati 3-fish më shumë nga Kodi aktual Penal.