Nga lëmosha te puna e detyruar/ Fëmijët në situatë rruge, një plagë sociale

Fëmijët që shesin lule, pastrojnë xhamat e makinave, kontrollojnë kazanët e mbeturinave apo kërkojnë lëmoshë janë pamje e zakonshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Të pambrojtur, pa arsim dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, ata shpesh detyrohen nga të rritur – përgjithësisht të afërm – të punojnë për të siguruar të ardhura për familjen.

Shpesh përballen me dhunë, abuzim apo dhe trafikim seksual. Të ardhurat e tyre vijnë me një kosto të lartë për ta: humbjen e fëmijërisë dhe së ardhmes.

Shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë është problem i thellë social, ekonomik dhe kulturor. Detyrimi i të miturve për të lypur, apo dhe punuar, është një formë trafikimi dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Sipas Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHMDF), prirja është në rritje. Të dhënat e raportit vjetor (2023) flasin për 2,163 raste në situatë rruge që janë menaxhuar nga ASHMDF, prej të cilave rreth 47.5% (1,027) ishin raste të reja – në vitin 2022 pati 987 të tilla.

Nga fëmijët në situatë rruge, grupmosha më e shpeshtë është 13-15-vjeç, ndjekur nga 16-18-vjeçarët.

Djemtë përbëjnë shumicën e tyre, ndërsa më të ekspozuar duken fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane – ndër komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri.

Raporti i ASHMDF-së nënvizon se fëmijët në situatë rruge janë nga “grupet më të cenueshme” teksa “mungesa e shërbimeve sociale e përkeqëson situatën”.

Prirja konfirmohet edhe nga Linja Kombëtare për Fëmijët (ALO 116 111).

Kjo organizatë raportoi për vitin që shkoi 256 raste të shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve, që përfshinin 473 fëmijë (389; 2023).

Ndërkohë, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, u evidentuan 87 raste të reja, që preknin 190 fëmijë.

Prirja për të shfrytëzuar fëmijët është më e përhapur në qytetet e mëdha, por nuk mungon as në zonat rurale.

Përgjithësisht, skuadra të posaçme terreni për ndërhyrjen në kohë reale ka vetëm kryeqyteti, ndërsa në qytetet e tjera raportimet kufizohen vetëm në polici, apo te punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve (PMF).

Nga raportet, kuptohet se rastet shtohen sidomos gjatë sezonit veror, kur ka flukse të shtuara turistësh. Fëmijët shfrytëzohen për të lypur, shitur sende në rrugë, kryqëzime, plazhe apo zona me lëvizje të mëdha.

Belioza Çoku, nga Linja Kombëtare për Fëmijët, shpjegon se nën këtë dinamikë, ku shpesh shfrytëzimi vijon deri në orët e vona të natës, “fëmijët ekspozohen ndaj rreziqeve të shtuara, përfshirë këtu trafikimi, apo dhe abuzimi seksual”.

Ajo thotë se të rriturit që i detyrojnë këta fëmijë, përgjithësisht kanë mungesë ndërgjegjësimi dhe informacioni për pasojat dhe penalitetet e shfrytëzimit që u bëjnë fëmijëve.

“Sfida mbetet trajtimi i rasteve të përsëritura, të njohura prej vitesh, për të cilat nuk janë marrë masat e duhura”, shprehet Çoku.

Shumë raste të fëmijëve në rrugë marrin ndihmë (si: trajtim mjekësor, psikosocial, edukativ etj.), por disa prej tyre kthehen sërish në rrugë. Sistemi i mbrojtjes nuk rezulton i efektshëm sa duhet.

Për këtë ndikojnë burimet e kufizuara njerëzore, mungesa e ndëshkimeve dhe mosbashkëpunimi mes institucioneve.

Qendrat e përkohshme nuk garantojnë rehabilitim afatgjatë, ndërsa arsimimi mbetet i pamundur për shumicën e tyre.

Sipas Altin Hazizajt, drejtor i “Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri” (CRCA/ECPAT), mungesa e zbatimit të ligjit Nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” është një nga arsyet kryesore për përkeqësimin e situatës. Ai thekson se “Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sa i përket të drejtave të fëmijëve, sidomos në qasjet ndaj fëmijëve që shfrytëzohen”.

ASHMDF është institucioni që mban barrën kryesore të përgjegjësisë për gjendjen e fëmijëve në situatë rruge. Kjo Agjenci qeveritare koordinon sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe promovon të drejtat e tyre. Ajo ka pas një zinxhir institucionesh të tjera, por që sfida kryesore e tyre mbetet veçanërisht ndjekja penale e autorëve të shfrytëzimeve.

Në një kërkesë për informacion, ASHMDF tha për Citizens.al se gjatë vitit 2024 u ndoqën penalisht 23 të rritur që shfrytëzonin fëmijë, kjo pas referimeve të njësive të mbrojtjes së fëmijëve (NJMF).

Bashkitë kanë gjithashtu rol domethënës në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në situata rruge, por sipas Hazizajt puna e tyre “lë për të dëshiruar”.

Për të adresuar këtë problem kompleks, nevojitet një qasje më e kujdesshme dhe e integruar, që përfshin ngritjen e shërbimeve të specializuara për këta fëmijë, mbështetje për familjet e tyre, përmirësim të shërbimeve psiko-sociale në shkolla dhe forcim të kapaciteteve të punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve.

Paralelisht nevojitet ndërlidhje më e qëndrueshme dhe koordinim efektiv mes institucioneve, sistemit arsimor dhe sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, fushata ndërgjegjësimi për strukturat që ofrojnë ndihmë, plane me buxhete të mjaftueshme për strehim dhe punësim të familjeve në nevojë etj.

Edhe pse qeveria ka promovuar bashkëpunimin me organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për përmirësimin e situatës, përfshirë programe për integrimin e viktimave të trafikimit, shumë mbetet për t’u bërë./ Citizens.al


Shtuar 6.06.2025 09:02