Në foto Pëllumb Gjoka, Astmer Bilali dhe Oltion Bistri
Detaje të reja dalin në lidhje me megaoperacionin e Policisë me urdhër të SPAK, që u zhvillua gjatë natës në disa qytete të vendit tonë, Tiranë, Shkodër, Kukës nga ku u arrestuan disa zyrtarë, policë, biznesmenë dhe persona të njohur të krimit.
Mësohet se SPAK ka lëshuar 15 urdhër arreste për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Operacioni i shtrirë në Tiranë, Kukës e Shkodër (27 korrik) vuri në pranga zyrtarë të lartë e eksponentë të krimit.
Deri më tani për mediet është bërë i ditur arrestimi i prokurorit të Kukësit, Xhevahir Lita, ish-kreut të Forcave Operacionale Olti Bistri, biznesmenit të njohur Pëllumb Gjoka si dhe arrestimi i Astmer Bilalit, anëtar i bandës së Bajrave.
1. Oltion Bistri- Oltion Bistri sapo ishte emëruar në këtë pozicion. Më herët ka mbajtur postin e Shefit të Operacionales një post që e mori në shkurt të vitit 2022. Në vjeshtën e vitit 2021, ka qenë me detyrë në Policinë e Lezhës ndërsa ka drejtuar edhe atë të Durrësit.
2. Xhevahir Lita- Prokuror i qarkut Kukës. Ai e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.
3. Astmer Bilali- Anëtar i bandës së Bajrave dhe ish boksier i Vllazënisë. Astmer Bilali, ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Ai u arrestua në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër nga FNSH dhe RENEA, si pjesë të “Bajrave”, e ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale. Vetëm pak kohë më parë, iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali.
4. Pëllumb Gjoka- Njihet si biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë.
Ende nuk është konfirmuar se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe mund të jenë edhe persona të tjerë të arrestuar. Priten të dhëna të tjera më të hollësishme për këtë operacion, por kryesisht SPAK preferon të mbajë hermetik informacionin deri në përfundim të një procesi.
/albeu.com/