Nga dypunësimi te rritja e pragut, në 5 vite ndryshimet e DIVA-s shtuan 127 mijë deklarues

Nga viti 2019 ku për herë të parë për deklarimin e DIVA-s, u përfshinë edhe të dypunësuarit me të ardhura deri në 2 milionë lekë deri në ndryshimet e 2024-s me uljen e pragut, numri i individëve që deklarojnë të ardhurat vjetore ka ardhur në rritje të vazhdueshme.

Janë rreth 127,5 mijë individë të rinj të shtuar për detyrimin e plotësimit të deklaratës vjetore të të ardhurave për periudhën 2019-2024.

Shtimi i deklaruesve të rinj ka ardhur si rezultat i ndryshimeve ligjore të ndërmarra në vitin 2019, ku detyrimin për plotësimin e DIVA për herë të parë e kishin edhe kategoria e të dy punësuarve dhe në vitin 2024, ku kufiri ndryshoi nga 2 milionë lekë në vit në 1,2 milionë lekë.

Në vitin 2020, për herë të parë detyrimin e deklarimit të të ardhurave vjetore DIVA e kishin të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, si rrjedhojë e disa ndryshimeve ligjore për tatimin mbi të ardhurat, që hynë në fuqi në janar 2020 dhe u zbatuan për herë të parë për pagat e përfituara gjatë 2020-s.

Ndryshimet parashikonin se paga, ndonëse ishte marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritej si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.

Ky ndryshim ligjor ndikoi në rritjen e numrit të deklaratave të plotësuara. Për vitin 2019 sipas të dhënave të marra nga “Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) në Republikën e Shqipërisë për periudhën 2024-2027”, rezultoi se deklarata DIVA ishte plotësuar nga 13,553 individë me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë.

Në vitin 2020, tatimet bënë të ditur nga lista e dy punësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983. Pra në total për vitin 2020 deklaruan për herë të parë të ardhurat vjetore rreth 39 mijë të dypunësuar.

Në vitin 2023 deklarata vjetore e të ardhurave u dorëzua nga rreth 74 mijë individë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi më herët se për 2023 , DIVA u deklarua përkatësisht nga 24,224 individë me të ardhura vjetore bruto mbi 2 milionë lekë dhe 49,566 ishin individë të dy punësuar. Në total numri i deklaruesve krahasuar me 2019 u rrit me 60,477 individë të rinj.

Në 2024, bazuar në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” pritet sërish një zgjerim të individëve të cilët do duhet të plotësojnë DIVA, pasi kufiri për deklarimin e të ardhurave vjetore ndryshoi nga 2 milionë që ishte në 1,2 milionë lekë në vit.

Për DIVA-n e 2024, që afati i deklarimit është deri më 31 Mars 2025, sipas Drejtorisë së Përgjithshme pritet të plotësohet në total nga 141 mijë individë. Krahasuar me deklarimet e 2023it, numri i deklaruesve të rinj llogaritet të shtohet në 67 mijë individë.

Ndërsa krahasuar me deklarimet e 2019 (periudhë ku u miratuan ndryshimet ligjore për përfshirjen për herë të parë në DIVA të dypunësuarve dhe nisën zbatimin 2020) deri në deklarimet e pritshme të 2024-s (periudhë kur hyri në fuqi ulja e pragut dhe afati i dorëzimit të tyre është deri më 31 mars), rezultojnë rreth 127,5 mijë deklarues të rinj.

Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto, si: Të ardhurat bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to; të ardhura bruto nga dividendi; të ardhura bruto nga qiraja;

Fitimet kapitale të realizuara nga skemat e sigurimit të jetës, kthimi i investimit nga skemat e pensionit privat; Fitime kapitale nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme; Të ardhura bruto nga interesat bankare;

Fitimi kapital i krijuara nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme sipas germës a, pika 2 e nenit 5; Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licenca, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit; fitime kapitali nga dhurimi; Fitime kapitali nga trashëgimia;

Të ardhura nga nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale, të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale, të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të të ardhura të tjera bruto të papërmendura më lart./Monitor


Shtuar 3.02.2025 08:32