Transporti publik vijon të mbetet problematik në kryeqytet, pavarësisht shumë premtimeve të bëra për të përmirësuar cilësinë e tij.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, është zotuar në mënyrë të përsëritur, në harkun e më shumë se 8 viteve të fundit për ndërhyrje nga më të ndryshmet, që do ta transformonin shërbimin, por qytetarët dhe ekspertët shprehen se transporti urban në kryeqytet është në “gjendje kome”.
Një prej premtimeve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në vitin 2015, ishte edhe transformimi i transportit urban në kryeqytet.
“Transporti urban do të jetë i të njëjtës cilësi si në Laprakë ashtu edhe në Vaqar”, tha Veliaj në korrik të vitit 2015,
Kjo u përsërit nga kryebashkiaku edhe në dhjetor të po atij viti, ku shoqëritë e transportit kërkuan rritjen e çmimit të biletës.
“Duhet njëherë të dëgjojmë si fillim nëse janë dakord për biletë elektronike, nëse janë dakord për linjat e reja të autobusëve që prekin edhe fshatin, dhe nëse janë dakord që të përmirësojnë e të rrisin cilësinë e shërbimit dhe të mjeteve të tyre. Disa autobusë janë mesatarë, të pranueshëm, ndërsa disa të tjerë janë si ZIS-at”, theksoi Veliaj asokohe.
Përmirësimi i transportit urban, ka qenë gjithmonë në fokus të premtimeve të tij, si një prej shërbimeve që prek drejtpërdrejt qytetarët, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për shërbimin e ofruar.
“Brenda këtij viti do të fusim biletën elektronike, e cila do të zgjidhë përfundimisht disa ngërçe të vogla që kemi”, premtoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në vitin 2016.
Një vit më pas, në 2017-n, ai deklaroi se ishte kapërcyer dhe një hallkë penguese dhe përsëriti se do niste përdorimi i biletave elektronike, për linjat e transportit urban në kryeqytet.
“Kalon vendimi i Këshillit të Ministrave që i jep mundësinë Bashkisë së Tiranës të emetojë biletën elektronike, Ka qenë proces shumë i gjatë, për 25 vite ka qenë monopol i qeverisë qendrore”, njoftoi ai.
Por, bileta elektronike nuk është përfshirë ende në transportin urban në kryeqytet edhe pas kaq shumë vitesh.
Në vitin 2017, Veliaj njoftoi se nuk do të ishte e largët dita që Tirana do të kishte transport publik edhe gjatë natës.
“Nuk do jetë e largët dita, qe ne të ofrojmë edhe shërbimin 24 orë edhe gjatë natës”, u zotua kryebashkiaku i Tiranës.
Mirëpo, 7 vite pas këtij premtimi, Tirana ende një shërbim të tillë gjatë orëve të natës. Transporti urban ofron shërbim nga ora 5 e mëngjesit deri në 10 ose 11 të darkës.
Në maj të vitit 2019, kryebashkiaku i Tiranës, foli dhe për transportin elektrik në kryeqytet.
“Ambicia jonë është që në këtë mandat të dytë, pjesën më të madhe të financimeve të BERZH-it t’i fokusojmë në atë që quhet program i qyteteve të gjelbra, ku ne duam fokus shumë të madh te transporti elektrik”, theksoi Veliaj. Pavarësisht zotimit të Veliajt, në Tiranë jo të gjitha linjat kanë me autobusë elektrik.
Dy vite më vonë, shoqëritë e transportit përgjysmuan flotën në qarkullim, për shkak të kostove të larta, duke e bërë edhe problematik këtë shërbim për qytetarët. Në 2021-n, Veliaj kërcënoi shoqëritë e transportit që të rrisin cilësinë, pasi në të kundërt, do u hiqej licenca.
Në shkurt të vitit 2023, ishte premtimi i radhës. Kryebashkiaku i Tiranës, deklaroi se në verën e po atij viti do të lancohej projekti për linjat e shpejta të autobusëve urbanë.
“Ne jemi gati që këtë verë të lançojmë ‘Bus Rapid Transit’, tranziti i shpejtë me autobusë me linja të superdedikuara dhe të pandërprera. Do të kalojmë në këtë sistem 3 linja: Linjën Kinostudio-Kombinat, do kalojmë Unazën, do kalojmë dhe Tiranën e Re. Parashikimi është që nëse na merrte 54 minuta, le të themi udhëtimi i plotë i linjës, duam ta çojmë në 24 minuta”,- deklaroi Veliaj.
Por projekti në fjalë nuk u lançuar në verë, siç u premtua.
KfW tha më herët për Faktoje se kostoja totale e projektit është 110,37 milionë euro, nga të cilat 50 milionë euro do të financohen nga ‘German Financial Cooperation’, nëpërmjet KfW. Deri në 31,2 millionë euro financohen nga Bashkimi Europian nëpërmjet ËBIF, instrumetit financiar për Ballkanin
Perëndimor, dhe deri në 29,17 milionë euro, parashikohen të jenë kontribut i Bashkisë së Tiranës.
Kohëzgjatja e projektit është deri në vitin 2029 dhe agjencia zbatuese e projektit është Bashkia e Tiranës.
Në prill të vitit 2023, Veliaj përmendi edhe stacionet elektronike të autobusëve, por deri më tani nuk ka asnjë zhvillim mbi këtë zotim.
“Ne planifikojmë që 200 stacione të autobusit t’i kthejmë në stacione elektronike, ku ti të dish, të bësh një parashikim kur do vish në punë. Duam të fillojmë në qershor, fillimisht me stacionet e reja”, tha Veliaj.
Si është situata me transportin urban sot?
Pavarësisht shumë premtimeve, transformimi i transportit publik ka ngecur thuajse në vendnumëro.
Dhjetëra qytetarë kanë shprehur shqetësimin për Faktoje në lidhje me cilësinë e shërbimit, duke evidentuar si probleme kryesore vonesat, mbingarkesën, mungesën e sistemit të ajrimit e koncionerët, por edhe papastërtitë.
“Mbingarkesa eshte problemi kryesor. Edhe pse linja është e shpeshtë, i shërben një zone me densitet shumë të lartë, si Fresku. Së dyti trafiku, mungesa e korsisë së dedikuar të autobusëve dhe taksive bën që rruga nga stacioni i fundit deri në qendër të marrë mbi 60 minuta, kur normalisht është diku te 25 minuta”, tregon e shqetësuar Alma, banore në zonën e “Freskut” në Tiranë.
Altini përdor çdo ditë urbanët e Tiranës, për të shkuar në punë. Ai merr dy linja, atë të Institutit dhe Unazën e Re.
“Në urbanët e Tiranës mungon ajri i kondicionuar. Janë përherë të mbingarkuar, të pisët”, shprehet 42-vjeçari.
Qytetarët theksojnë se korsistë e dedikuara dhe shtimi i numri të autobusëve do ta përmirësonte sadopak këtë shërbim.
Urbanisti Gentjan Kaprata, sheh tre probleme kryesore në transportin urban në kryeqytet.
“E para është shpejtësia me të cilën autobusët lëvizin. E dyta është koha në të cilën po vonohen udhëtarët në stacione edhe e treta është cilësia e autobusëve, cilësia e mjeteve. Te treja këto lenë shumë për të dëshiruar. Ka shumë vend për ndërhyrje”, argumenton Kaprata.
Kreu i Shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj, thekson se është domosdoshmëri ndërtimi i korsive të dedikuara.
Sipas tij, kjo do të shkurtonte kohën dhe do të shmangte mbingarkesën e autobusëve.
“Për një destinacion do të shkurtojë deri në 20 minuta. Kur autobusi lëviz më shpejt, flota e mjeteve është 100%, ka më pak njerëz, ka një shpejtësi më të madhe, shkojmë në punë më shpejt, kursejmë kohë dhe shmangim mbingarkesën e autobusëve”,-shpjegon ai.
Ndërsa, biletën elektronike ai e sheh ende si të vështirë për t’u realizuar.
“Bileta elektronike nuk do jetë funksionale për transportin urban, por as në ndërqytetasin, sepse nuk janë gati në infrastrukturë”, thotë Memaj. / Faktoje.al