Ditën e sotme policia ka arrestuar 5 persona si dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë janë pas super-operacionit të zhvilluar ditën e sotme në Tiranë ku u sekuestrua një arsenal armësh.
Të arrestuar janë shtetasit Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa, ndërsa si pjesë e kësaj bande janë arrestuar më herët edhe shtetasit Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku.
Ky grup kriminal ka tentuar të vrasë me eksploziv të telekomanduar më 18 tetor të vitit 2019 shtetasin Artian Bylyku, i cili është kunati i Domart Konjarit, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit.
Konjari akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.
Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 42-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.
Në dosje, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Aty përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.
Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.
LIRIMI I KONJARIT
Lirimi i Domart Konjarit nga ana e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda solli edhe një përplasje mes Shqipërisë dhe Francës. Ambasadori francez në Shqipëri, në atë kohë reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare.
Edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi ndjesë për vendimin e Apelit, duke nisur një inspektim për mënyrën se si u ndryshua masa e sigurisë ndaj Konjarit. Por megjithatë, Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2016, i dha të drejtë Apelit të Krimeve të Rënda duke rrëzuar rekursin e Prokurorisë.
SI U ARRESTUA
Domart Konjari ishte person në kërkim në kohën kur më datë 04.11.2015, rreth orës 17:40, në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë, janë paraqitur në hyrje shtetasit Elton Çela, si drejtues mjeti dhe shtetasi me dokumente me identiteti Arben Lazri, si pasagjer.
Pasi punonjësi i policisë (kontrollori) ka vijuar procedurën e regjistrimit të shtetasve në pikën e kalimit, ka evidentuar se me të njëjtin identitet, Arben Lazri, me numër personal të njëjtë, por me fotografi tjetër, është i regjistruar në TIMS dhe një shtetas tjetër.
Po ashtu, punonjësi i policisë ka evidentuar se po i njëjti i asaj dite, shtetasi Arben Lazri, kishte dalje për në Greqi në orën 17:11. I intervistuar për këtë fakt, shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri i ka prezantuar faktin se pasi ka dalë në pikën e kalimit në territorin grek, nga punonjësit e kësaj pike është kthyer pas, sepse i kërkonin disa dokumente të tjera.
Në këto rrethana, shtetasi i paraqitur me këtë identitet ka kaluar për një kontroll më të detajuar në vijën e dytë dhe ndërkohë që shoqërohej nga punonjësi i policisë për në zyrën përkatëse, shtetasi i paraqitur si Arben Lazri, i ka premtuar punonjësit të policisë për t’i dhënë 50 euro, me qëllim që të mos e vonin me procedurat e verifikimit, veprim të cilin e ka kundërshtuar punonjësi i policisë dhe e ka bërë prezent si fakt tek eprorët e tij.
Gjatë një verifikimi të hollësishëm të pasaportave lëshuar të njëjtit identitet dhe nga një verifikim i gjurmëve të gishtave të këtij shtetasi, është evidentuar se shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri ka paraqitur identitet të rremë, pasi ky shtetas i përket identitetit të të pandehurit Domjart (Domart) Konjari i datëlindjes 11.07.1973.
HISTORIA/ Lidhja e Domart Konjarit me Konomin dhe atentati ndaj tij
Në fillim të viteve ‘90 në Tiranë u shfaqën “të fortët” e parë, që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me grupet e krimit të organizuar që filluan të vepronin në vitet në vazhdim. Por organizimi i tyre nuk zgjati shumë dhe filluan të ndaheshin në zona, më pas të vrisnin njëri-tjetrin.