Nga AKSHI te kompanitë celulare, kush po na sulmon? Eksperti: Institucionet s’kanë marrë asnjë masë

Prej ditësh vazhdojnë sulmet e hackerave ndaj faqeve të institucioneve shqiptare. Së fundmi ditën e djeshme nën sulmin e tyre kanë ranë faqja e KLSH-së, Tatimeve dhe ILDPI-së.

Për ekspertin e Teknologjisë së Informacionit Tomi Kallanxhi është koha që të skanohen punonjësit e IT-së në institucionet shtetërore të rëndëisive të tilla.

Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, Kallanxhi e ngriti problemin telk institucionet shqiptare, të cilët sipas tij, nuk kanë marrë asnjë masë për rritjen e sigurisë që prej sulmeve teë para kibernetike.

“Duhen filtruar të jgithë inxhinierët e IT-së në institucione, pasi duhet të kuptojmë se dhe i famshmi Julian Assange që publikoi të dhënat e Ëikileaks, kishte bashkëpunëtorë brenda institucioneve.

Ndaj problemi nuk është se u sulmua, por problemi është nëse të dhënat e AKSH-it janë kopjuar, pasi nëse ndodh kjo, si në rastin e kompanisë “ONE”, nuk ka më sens t’i kemi më këto të dhëna, pasi herët apo vonë këto të dhëna do të bëhen publike.

Pasi këto persona që e bëjnë këtë janë shumë të zotë.

Edhe kjo që ndodhi me Parlamentin është e ngjashme me atë që ndodhi me AKSHI-n, por këtu kemi të bëjmë me faktin se edhe pse sulmet kanë ndodhur prej gati 2 vitesh, asnjë masë sigurie dhe parandaluese të sulmeve të tilla nuk është marrë nga institucionet shqiptare”, u shpreh eksperti i Teknologjisë së Informacionit, Tomi Kallanxhi.

Rënia e institucioneve

Përmes një njofitmi AKSHI- pohoi se gjendemi nën sulme masive duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike, por siguron se situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë.

Parlamenti i Shqipërisë njoftoi të martën se kishte pësuar një sulm kibernetik, gjatë të cilit hakerët ishin përpjekur të ndërhynin tek të dhënat dhe t’i fshinin ato, duke ndalur kështu përkohësisht punën e këtij institucioni. Deklarata njofton se sulmi kibernetik i së hënës nuk arriti të prekë të dhënat e sistemit dhe se ekspertët po punonin për të zbuluar pasojat e mundshme të sulmit, ndërsa shërbimet do të rifuteshin në funksionim më vonë.

Mediat vendase raportuan se ishte sulmuar edhe kompania e telefonisë celulare ONE dhe kompania ajrore Air Albania nga sulmet kibernetike të së hënës të bëra nga një grup hakerësh iranianë, të mbiquajtur “Drejtësi për Atdheun”, informacion që nuk u arrit të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Shqipëria pësoi një tjetër sulm kibernetik në korrik 2022, për të cilin qeveria dhe kompanitë shumëkombëshe të teknologjisë fajësuan Ministrinë e Jashtme iraniane. Sulmi mendohej se ndodhi si kundërpërgjigje ndaj strehimit në Shqipëri të grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK) dhe shkaktoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dy muaj më vonë.

Ministria e Jashtme e Iranit mohoi që Teherani të ketë orkestruar sulmin ndaj faqeve në internet të qeverisë shqiptare dhe vuri në dukje se Irani ka pësuar sulme kibernetike nga grupi MEK.

Në qershor, autoritetet shqiptare bën kontroll në kampin e anëtarëve në azil të grupit MEK, për të sekuestruar pajisjet kompjuterike që mendohej se kishin lidhje me aktivitete të ndaluara politike.

Që nga viti 2013, gati 2500 azilantë iranianë strehohen në Shqipëri, ku nuk duhet të angazhohen në aktivitete politike dhe duhen të zbatojnë ligjet e vendit. Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian mbështetën Shqipërinë, vendin aleat në NATO, gjatë kësaj mosmarrëveshjeje.

Pohimi i AKSHI-t:

Informojmë opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike.

Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.

Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.

Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale. Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti. /oranews


Shtuar 29.12.2023 02:47