Nga; Luçiano Boçi
Nuk e kam fjalën për Sartrin, sepse në fund të fundit ishte një majtisto-ekzistencialist, megjithëse Antuan Rokëntën-i i tij (personazhi i romanit Neveria) përjeton një neveri të skajshme ndaj realitetit me të cilin mbështillet, sidomos në raport me baronin aventurier dë Rolëbon, një figurë e ngjashme kjo me aventurierin që drejton Shqipërinë, për të cilin do shkruante historinë, por dhe atë neverinë e drejtuar së brendshmi.
E kam fjalën për atë shijen politike e sociale që të kaplon grykën e pështjellon lëngjet e stomakut dhe mendjes, e cila prodhohet prej vitesh nga proceset zgjedhore në Shqipëri e sidomos nga reagimet para e post zgjedhore mediatike. Një neveri deri në pështirosje totale.
Himara ishte një akt i disatë brenda një teatri politik e mediatik gjigand kohor, pa qenë akoma një prolog. Por neveria që ajo prodhoi ishte e tejskajshme.
Ndërsa fotoja e nxënësit Tavo me fletore përpara mentorit politik Ramë, të nesërmen e performancës neveritëse, duke marrë shënime për hallet e miletit, mundi çdo fantazi neveritëse.
Neveria s’paska fund në këtë vend ku burimi kryesor vjen falas nga Kryeminisitria e jo vetëm. Atë e prekëm kudo. Gjithçka që u ndërmor për të ekzekutuar vullnetin e qytetarëve himariotë që zgjodhën si kryebashkiak Belerin, shkaktonte neveri.
Kurthi, djallëzia politike, xhandarizmi i SPAK, arroganca, u bënë një dhe shpërthyen kanalet e zeza të neverisë pa pyetur fare, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e neveritshëm të një individi, i cili kërkonte të vinte me domosdo këmbën e zbathur mbi Himarën.
Shfaqja e neveritshme vazhdoi më tej me figurat që drejtojnë neveritshëm institucionet mjerane të këtij shteti, të cilët pa një pa dy vendosën në mënyrë të neveritshme mbajtjen e një farse zgjedhore për Himarën. E fushata ishte shpërthimi i neverisë.
Kandidati u urdhërua si ushtar të deportohej në Himarë si fitues i garantuar nga kryeneveria. Neveritshëm zyrtarët u shkulën nga punët e zyrave e përfunduan duke shantazhuar për të marrë atë votën e neveritshme. Nuk u kursyen e as paratë dhe as transferimet e as falsifikimet e as ndalimet e neveritshme. Pa harruar atë patriotizmin fals.
Shteti ynë i neveritshëm donte të fitonte me cdo kusht kundër një kandidati i cili nuk ia njihte forcën neverisë qeverisëse. Dhe ia arriti neveritshmën. Pa harruar se e bëri nën marshet neveritëse të mjeteve të propagandës mediatike që krenarisht, pa pasur neveri fare nga neveria, lëpijnë sot për interesa të neveritshme pushtetin e “fitorjet” e tij të mëdha kundër armiqve.
E neveritshëm na e paraqesin hajdutin, si kampion të nderit. Rezultatin e parapërgatitur, si rastësi. Grabitjen tradicionale të votës, si zotësi politike. Farsën si proces. Dhe vetë neverinë e përshkruajnë si gëzim marramendës.
E tmerrshme se si e gjithë kjo neveri që prodhohet për shkak të kësaj që na rrethon, ka helmuar deri në qelizë politikën, jetën dhe ekzistencën. Që të shpëtojmë nga e gjithë kjo neveri e detyruar na duhet revolta. Arsyet e rradhës dhe shkaqet e neverisë, sado të vërteta që janë, brenda situatave neveritse, marrin vetë nota të tilla.
Revolta është zgjidhja!