Ditën e nsërme më 1 shtator, kryeministri Edi Rama, do të mbledhë Qeverinë në Dajt. Kjo do të jetë mbledhja e parë në nisje të sezonit të ri politik dhe pas pauzës së pushimeve të verës.
Në fokus të këtij takimi, do të jetë shqyrtimi i punës së deritanishme dhe për të vendosur objektivat për muajt në vazhdim.
Me pjesëmarrjen e ministrave, drejtuesve të organeve të varësisë dhe të kryebashkiakëve, takimi në Dajt do të shërbejë për analizën e progresit dhe përgatitjet për sesionin e ri parlamentar.
Mbledhja do të nisë nga ora 10:00 deri në orën 18:00.
Ndërkohë, 2 shtatori do t’i rikthejë ligjvënësit në parlament. Deputetët do të nisin një sesion të ri jo fort të qetë, ndërsa pritet që të diskutohen dhe kalojnë për miratim disa çështje.
Çështja e Avokatit të Popullit, ka mbetur “peng” i numrave dhe konsesusit mes palëve, duke mbajtur ende në detyrë Erinda Ballancën, të cilës mandati i ka përfunduar në maj të 2022-shit.
Po ashtu, një tjetër çështje me rëndësi është dhe ajo për mandatin e Olta Xhaçkës. Deputetëve do të duhet të vendosin nëse do t’a çojnë apo jo, për shqyrtim mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se ky sesion i ri parlamentar, do të nisë nën drejtimin e kryeparlamentares Elisa Spiropali, e cila zëvendëson Lindita Nikollën. Kjo e fundit dha dorëheqje në fund të sesionit për motive personale.