Ditën e nesërme, më 3 qershor, maturantë do të japin provimin e parë të Maturës shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Në procesin e provimit do të marrin pjesë të gjithë maturantët, pasi asnjëri prej tyre nuk është me COVID-19. Tezat janë shpërndarë ditën e sotme nën masa të rrepta sigurie në të gjitha gjimnazet e vendit ku do te jepet provimi i gjuhës së huaj, (anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht). Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në 12:30.
Rregullat e provimit të maturës:
Gjatë plotësimit të provimit duhet të përdorni stilolaps blu ose të zi. Duhet të mbushni me stilolaps për secilën pyetje rrethin që përfaqëson alternativën që e mendon të saktë. Mbushja me stilolaps e rrethit duhet të bëhet vetëm sipas formatit të përcaktuar, në të kundërt skaneri nuk e njeh përgjigjen tuaj dhe mund të rrezikoni humbjen e pikëve. Kjo fletë nuk duhet të dëmtohet, e as të vihen shenja në tabelat e saj. Bashkangjitur shkrimit gjeni edhe formatin e duhur se kur plotësimi i përgjigjes konsiderohet i saktë.
Sa i takon skemës së vlerësimit bëhet e ditur se nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje keni plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e keni shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje sërish do të vlerësohet me 0 pikë. Po sipas skemës së përcaktuar në rregulloren e MASR, nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësoheni me 0 pikë. Nuk duhet të përdoret korrektor për ndryshimin e përgjigjeve, pasi këto pyetje do të jenë të palexueshme nga sistemi digjital.
Kujdes rrezikoni të përjashtoheni nga provimi i maturës nëse:
Ndryshoni vendin që ju është caktuar. Merrni ose jepni informacione me kandidatët e tjerë rreth përmbajtjes së testit, kur bëni komente për zgjidhjen e pyetjeve. Kur mbani telefon celular, radio apo mjete të tjera të komunikimit me vete. Kur refuzoni kontrollin gjatë hyrjes në qendrën e provimit, si dhe kur prishni qetësinë në mjedisin e provimit.
Maturantit nuk i njihet rezultati nëse:
Përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit. Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal. Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisionet përkatëse, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.