Nesër në Vatikan ceremonia e përurimit të Papa Leonit të XIV! Presidenti Begaj dhe krerë fetarë shqiptarë udhëtojnë drejt Vatikanit

Një delegacion i lartë nga Shqipëria do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV. Ceremonia solemne do të zhvillohet në Vatikan, dhe do të nisë në orën 10:00.

Pjesë e delegacionit të Shqipërisë do të jetë Presidenti Bajram Begaj, ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe krerë të komuniteteve fetare.

Po ashtu të pranishëm do të jenë edhe krerë e përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri. Kisha Katolike do të përfaqësohet nga Imzot Arjan Dodaj, Imzot Gjergj Meta dhe Imzot Simon Kulli, ndërsa nga Kisha Ortodokse do të marrin pjesë Mitropoliti Nikolla dhe At Ignat Todri. Komuniteti Mysliman përfaqësohet nga Bujar Spahiu dhe Ejup Lila, ndërsa Kryegjyshata Bektashiane nga Baba Mondi dhe gazetari Ferdinand Samarxhi.

Të hënën në orën 9:30, delegacionet do të marrin pjesë në audiencën e posaçme me Papa Leo XIV, nën shoqërinë e ambasadores shqiptare në Vatikan, Majlinda Frangaj.

Çfarë është Mesha e Kurorëzimit?

Kjo është Mesha e Inagurimit që do të shënojë zyrtarisht fillimin e shërbesës Petrine të Papës . Leo XIV, i cili do të marrë përqafimin e besimtarëve nga e gjithë bota, do të mbajë një fjalim “programatik”, në të cilin do të lartësojë parimet, vlerat dhe udhëzimet e Papnisë së tij . Në të kaluarën, Françesku e kishte thjeshtuar ritin, por ai mbetet ende një nga Meshat më solemne në Vatikan. Nuk janë publikuar të gjitha detajet e eventit deri më tani, por festimi pritet të zgjasë të paktën disa orë.


Shtuar 17.05.2025 17:54