“Nëse ke lindur i varfër në Shqipëri, mbetesh i tillë”, Tabaku për BBC: Duhet ta pranojmë se ikjet ndodhin për shkak të korrupsionit

Në reportazhin në Shqipëri, BBC zhvilloi dhe një intervistë me deputeten e PD, Jorida Tabaku e cila argumentoi se kush janë shkaqet që shqiptarët po largohen nga vendi i tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Ata besojnë se sistemi në vendin tonë nuk është i drejtë. Meritokracia nuk ekziston”, u shpreh Tabaku, “ata nuk kanë shanse ekonomike”. Ndërsa theksoi se “është shumë e vështirë të kemi mobilitet social. Nëse ke lindur i varfër në Shqipëri mbetesh i tillë pavarësisht se sa shumë punon.”. Më tej ajo theksoi se një nga shkaqet kryesore është edhe korrupsioni që ka prodhuar një sërë problemesh të tjera si mungesën e oportuniteteve.

“Ne, si politikanë, duhet ta pranojmë se kjo është e lidhur me korrupsionin e madh dhe sidomos në veri të vendi është e lidhur me mungesën e oportuniteteve. Dhe kjo është diçka që i takon qeverisë ta adresojë.”.

E pyetur më tej se kush janë shkaqet e tjera që detyrojnë shqiptarët të përdorin rrugët ilegale drejt Mbretërisë së Bashkuar, ajo theksoi se përtej mungesës së sundimit të ligjit, mos zbatimit të ligjit nga policia dhe rojet kufitare në vendin tonë një arsye është dhe vështirësitë që hasin qytetarët për të fituar të drejtën e punësimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo theksoi se “qeveria duhet ta pranojë këtë si problem dhe më pas të shohë rrugën për ta zgjidhur. Nuk mund të flasim për zgjidhje të një problemi që qeveria nuk e njeh. Duhet të kemi një sistem brenda kornizave ligjore ashtu që këta persona mos të detyrohen të largohen në këtë mënyrë. Duhet të kemi një procedurë më të përshpejtuar më Mbretërinë e Bashkuar, siç fjala vjen kemi me vendet e BE-së.”, u shpreh Tabaku.


Shtuar 22.11.2022 10:59