Analisti Neritan Sejamini u shpreh në emisionin “Opinion” këtë të enjte se opozita duhet të reflektojë. Sipas tij, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve dhe akuzave të saj se janë vjedhur, ajo duhet të mbajë përgjegjësi në mënyrë që të përgatitet për të ardhmen.
“Ka dy elementë. Një është, a janë vjedhur apo jo zgjedhjet dhe ky është element i pashkëputur nga opozita dhe ky është një element më i rëndësishëm sesa opozita sepse nëse është përdorur administrata ky është krim dhe është problemi jonë. Nëse është përdorur krimi i organizuar ky është krim dhe është problemi jonë.
Opozita e ka gabim që nuk reflekton. Humbja, me meritë, pa meritë, me vjedhje, pa vjedhje, prapë ajo duhet të mbajë përgjegjësinë e vet partiake sepse opozita ka nevojë të përgatitet për të ardhmen për të mirën e vet dhe jo për të mirën tonë”, tha ai.
Dhe e ardhmja sipas Sejaminit nis që nesër, me përgatitjen për zgjedhjet e 2027. Ai parashikoi se me shumë mundësi, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme dhe opozita do të ballafaqohet shumë shpejt me garë elektorale. Njëjtë siç bën PS-ja, Sejamini është i mendimit që edhe opozita duhet të fillojë të përgatitet për zgjedhjet që nesër.
“Kanë filluar zgjedhjet e 2027. Shiko ne do kemi me shumë gjasa zgjedhje të parakohshme në Tiranë, mund të jenë në vjeshtë, mund të jenë në pranverë. Pra mund të jenë të parakohshme, do vijnë para 2027.
Opozita do ballafaqohet shumë shpejt me garë elektorale. Kemi zgjedhje 2027, kemi 2029. PS fillon përgatitjet për këto zgjedhje që nesër. Opozita duhet të fillojë përgatitjet që nesër. Kjo duhet të vijë duke ndryshuar shumë gjëra”, u shpreh ai.