Negociatat në kampin e opozitës/ Në forumin e dialogut politik morën pjesë 15 parti, munguan sërish Shehaj dhe Qori

Sali Berisha qëndroi jashtë forumit të dialogut, por partitë e reja nuk u tunduan.

Agron Shehaj dhe Arlind Qori bojkotuan tryezën ndonëse PD u përfaqësua nga Luçiano Boci dhe Ilir Alimehmeti. Adriatik Lapaj zgjodhi të qëndrojë në shesh pasi po pret që me parë t’i plotësohen kushtet e tij.

“Kemi këtu rreth 15 parti politike dhe një lëvizje të rëndësishme si ajo e Diasporës për Shqipërinë e Lirë”, u shpreh nismëtari i Forumit për Dialogun Politik, Ermal Hasimja.

Nuk shoh ndonjë arsye që “Shqipëria Bëhet” të mos jetë pjesë e kësaj tryeze, por ata janë në pritje të produkteve konkrete të saj, veçanërisht sa i përket protestave të vazhdueshme në shesh.

I mandatuari i Sali Berishës konfirmoj se kushti kryesor i Lapaj do realizohet në protestën e 20 shkurtit.

15 partitë që i thane po ftesës së Ermal Hasimes hodhën hapin e parë drejt një fronti të gjerë opozitar që synon koordinimin e qëndrimeve për kodin elektoral, drejtësinë dhe krijimin e një qeverie transitore.

“Këto ishin pikat kryesore për të cilat diskutuam. Siç e thashë, është tryeza e parë dhe jemi shumë të kënaqur. Do të vijojmë me aspektet teknike, si për shembull përzgjedhja e një kodi zgjedhor të unifikuar dhe të rakorduar, të cilin më pas Partia Demokratike, për shkak të peshës që ka në Komisionin e Reformës Zgjedhore, do ta çojë në forumin e duhur”, tha Hasimja.

Sali Berisha nuk priti por nxitoi të thërrasë me 20 shkurt proteste por ftesa për pjesëmarrje nuk mungoi as nga forumi i dialogut opozitar.